SPORT, 5 Mars 2020, 09:44

Frikë nga koronavirusi, miqësoret e Shqipërisë “në ajër”, FSHF pret përgjigje nga UEFA

Frikë nga koronavirusi, miqësoret e Shqipërisë


Ashtu siç pritej, dekreti i qeverisë italiane për masat kundër shpërndarjes së koronavirusit, ka prekur edhe ndeshjet e përfaqësueses shqiptare të futbollit të planifikuara në muajin mars.

Kuqezinjtë do të luajnë sipas programit me San Marinon më 27 mars dhe më datë 30 mars ndaj Lituanisë.

Por tashmë çdo gjë është në dyshim sa i përket se ku do të zhvillohen këto sfida, pasi duket e pamundur që të zhvillohen në Itali me stadiume të boshatisura në dy krahina të goditura nga virusi.

VIP Sport ka mësuar se gjatë hedhjes së shorti në Amsterdam, drejtuesit e Federatave të përfshira kanë diskutuar parimisht edhe mundësinë e zhvendosjes së këtyre dueleve në vend tjetër, edhe në Shqipëri apo Slloveni.

Por kjo gjë nuk është plotësisht në dorën e tyre, pasi ato janë rregulluar me ndërmjetësimin e një kompanie të punësuar nga UEFA.

Kjo e fundit u jep Federatave një listë me skuadra të mundshme me të cilat mund të bëjnë miqësore dhe organizon gjithçka duke mbuluar një pjesë të shpenzimeve, ndërsa më pas administron të ardhura nga biletat apo marketingu gjatë ndeshjeve. FSHF ka kërkuar informacion nga kompania dhe UEFA dhe pritet që gjatë kësaj fundjave të vendoset përfundimisht se çfarë do të bëhet me këto dy ndeshje që ishin planifikuar të zhvilloheshin në territorin italian, pasi duhet bërë edhe plani logjistik e përllogaritjet e shpenzimeve nëse ato do të zhvendosen në ndonjë vend tjetër.

Për momentin, gjithçka ka mbetur pezull, por Federatat kanë kërkuar nga kompania e punësuar nga UEFA që të zgjidhë sa më shpejt këtë situatë të komplikuar, pasi duhet të përgatitin edhe listat përfundimtare me lojtarët e ftuar për ato sfida e të mos tejkalojnë afatet e vendosura nga FIFA, edhe pse bëhet fjalë për situatë të pazakontë emergjence.