SPORT, 6 Mars 2020, 11:30

Muskuj të çlodhur dhe Handanoviç, Konte shpalos “armët” para Juves

Muskuj të çlodhur dhe Handanoviç, Konte shpalos


Kokën poshtë dhe pedalo, pa menduar shumë për situatën”. Ka qenë ky urdhri i prerë i “Gjeneralit të hekurt”, Antonio Konte, ditën e djeshme, pas ardhjes së zyrtarizimit të rifillimit të kampionatit. Edhe pse kampionati ka pësuar dy pauza të rëndësishme për Interin (Sampdoria dhe Juventus, por edhe Napoli në Kupën e Italisë), fatmirësisht, zikaltrit kanë “hequr qafe” dopiosfidën e Ligës së Europës me Ludogoretsin, ndonëse në mendje ka mbetur dueli i fundit i humbur me Lacion, të dielën e 16 shkurtit.

Pas disfatës në takimin e fundit dhe parakalimit që pësuan në renditje nga kryeqytetasit, gjithsesi Antonio Konte e ka antivirusin që skuadra të qëndrojë gjithmonë e përqendruar: punë dhe vetëm punë, me dy seanca në ditë.

Grupi për më shumë ka qëndruar i bashkuar, ka drekuar bashkë, kanë ditur që të shfryjnë edhe frikërat e situatës, duke nxjerrë jashtë mendjes sado pak panikun, por më pas, sërish në fushë për dy orë e gjysmë stërvitje, ndonëse prej thuajse 3 javësh nuk e kanë ditur asnjëherë saktësisht se cili do të jetë kundërshtari i radhës. Por të paktën nga e mërkura, edhe tek Interi e dinë se cila do të jetë beteja e radhës që duhet të luftojnë. Në sfond është Juventusi, udhëkryqi më i rëndësishëm për titullin…

MUSKUJ TË ÇLODHUR – Nëse koka sigurisht që nuk mund të zerojë totalisht gjithçka ndodh përreth në Itali me koronavirusin, të paktën muskujt e zikaltërve janë çlodhur mjaftueshëm. Për këtë arsye, edhe paraqitja që trajneri Konte kërkon nga të tijtë është e nivele të larta.

Përballë Ronaldos me shokë, lajmet e mira janë se mes lojtarëve që kishin pushuar shumë pak, si Shkriniar, De Vraj e Kandreva, parametrat fizike kanë qenë mjaft të larta. Për të ardhurit e fundit si Eshli Jang (Mozes është i dëmtuar dhe nuk ka marrë pjesë në stërvitje) pauza ka shërbyer për t’u ambientuar edhe më mirë me skemat e “gjeneralit” të tij, ndërsa kënaqësia më e madhe është rikuperimi i Samir Handanoviçit, jo vetëm kapiteni, por edhe fari i mbrojtjes zikaltër. Portieri slloven është një armë e pazëvendësueshme për Interin dhe 6 ndeshjet ku ai ka munguar e kanë treguar këtë, falë edhe pasigurive të shfaqura nga Padeli, i dyti i Handanoviçit.

Prandaj, qoftë në aspektin tekniko-taktik, qoftë në atë motivues, Samir është lojtari që trajneri Konte kishte më shumë nevojë se këdo tjetër për të ripasur në grup, në pritje të ndeshjes me Juventusin. Fati për Konten deshtë që dueli të luhej edhe me dyer të mbyllura, prandaj fakti që nuk do të jetë në shënjestrën e tifozëve, por edhe me grupin e lojtarëve thuajse të plotë, mund të jetë një plus më shumë për strategun zikaltër. Si gjithmonë për Antonio Konten, dyshimi më i madh për formacionin do të lidhet me Kristian Eriksenin, blerjen madhështore të janarit, pasi të paktën sipas indicieve të stërvitjeve të fundit, danezi mund të nisë nga stoli edhe në “Allianz Stadium”