AKTUALITET, 26 Shkurt 2018, 18:46

Rojet në gjumë, dy grabitësit rrëmbejnë kasafortën e firmës së inerteve

Rojet në gjumë, dy grabitësit rrëmbejnë kasafortën

Kasaforta e një firme inertesh është grabitur gjatë natës nga persona ende të paidentifikuar në zonën e Selitës në Tiranë.

Autorët, dy persona të maskuar, kanë arritur të hapin me forcë kasafortën, duke marrë nga aty rreth 1.5 milionë lekë të rinj. Ndërsa një natë më parë një tjetër magazinë ishte vjedhur në zonën e Vorës, shkruan “Panorama”.

Bëhet fjalë për magazinën e Bashkisë Vorë, ku autorët kanë arritur të marrin vetëm disa vegla pune. Në të dy rastet rojet nuk kanë arritur të shohin autorët e ngjarjeve, pasi kanë qenë në gjumë në momentin kur ka ndodhur.

Policia tha se ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve të vjedhjeve. Ndërsa paraprakisht po verifikohen kamerat e sigurisë të dy objekteve që janë thyer.

Nuk dihet nëse bëhet fjalë për të njëjtët persona që mund të kenë kryer të dy vjedhjet, apo janë persona të ndryshëm, pasi në të dy rastet kamerat kanë fiksuar persona të maskuar dhe nuk u shquhet fytyra.

VJEDHJET

Mëngjesin e së shtunës, administratori i një kompanie inertesh, shtetasi me iniciale B.N., 42 vjeç, ka bërë kallëzim në Komisariatin nr.6, për një vjedhje të ndodhur në ambientet e magazinës së shoqërisë së tij.

Burime nga Policia thanë se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Sabaudin Gabrani”, gjatë natës, duke gdhirë dita e shtunë. Autorët, që dyshohet të kenë qenë dy persona, kanë arritur të thyejnë drynin e portës kryesore të magazinës dhe janë futur brenda pa u diktuar nga roja. Më pas kanë hapur me forcë kasafortë, që sipas administratorit ka pasur para dhe disa dokumente.

Nga verifikimet që ai vetë ka kryer, ka rezultuar se autorët kanë vjedhur shumën e parave, rreth 1.5 milionë lekë të rinj. Ndërsa një natë më parë, përfaqësues të Bashkisë së Vorës, kanë bërë kallëzim për vjedhjen e ndodhur në magazinën e këtij institucioni. Edhe në këtë rast autorët kanë thyer derën e jashtme të magazinës, por kanë arritur të marrin vetëm disa vegla pune, pasi nuk kishte sende të tjera me vlerë.

Kallëzimi për këtë ngjarje është bërë në Komisariatin e Vorës dhe oficerët e Hetimit të Krimeve kanë nisur menjëherë hetimet për identifikimin e autorëve. Burime nga Policia thanë se deri tani ende nuk ka persona të ndaluar për asnjërën nga ngjarjet, por po punohet për identifikimin dhe arrestimin e tyre.

AKTUALITET / 26 Shkurt 2018, 17:21

Birra