AKTUALITET, 3 Shkurt 2020, 11:16

“Rezervat më të mëdha ishin për Shqipërinë, kushtet e Bundestagut të merren seriozisht”

“Rezervat më të mëdha ishin për Shqipërinë,


Këtë javë, Komisioni Europian pritet të publikojë strategjinë e re të zgjerimit, e cila pritet me interes nga vende si Shqipëria.

Ndërkohë presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, mbërrin në Shqipëri për një vizitë, e cila shihet si inkurajim për rrugën europiane të vendit.

Sassoli ka dhënë një intervistë për gazetën Panorama përpara mbërritjes. Ai thotë se në rastin e Shqipërisë, ka pasur rezerva më të mëdha kur u diskutua për çështjen e negociatave.

“Është e rëndësishme për mua të theksoj që, as Maqedonia e Veriut dhe as Shqipëria nuk kanë bërë asgjë të gabuar. Në të dyja rastet, përpjekjet e mëdha u njohën nga Komisioni në vlerësimin e tij zyrtar.

Sidoqoftë, është e vërtetë që midis vendeve që kundërshtuan, rezervat ishin më të mëdha në lidhje me Shqipërinë, pa qenë kjo pika kryesore e debatit. Nëse kjo ndarje është ende ekzistuese, do të shihet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit.

Unë e nxis Shqipërinë që ta përdorë këtë kohë dhe të trajtojë shqetësimet e ngritura, veçanërisht në lidhje me respektimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit,” thotë Sassoli.

Sipas tij, kushtet e Bundestagut duhet të merren seriozisht.

“Së pari, si një sqarim i vogël, kushtet e përcaktuara nga Bundestagu duhej të plotësoheshin nga Shqipëria deri në konferencën e parë të anëtarësimit dhe, midis hapjes së negociatave të anëtarësimit dhe konferencës së parë të anëtarësimit, mund të kalojë madje edhe një vit.

Së dyti, deklarata e Kancelares gjermane Merkel e javës së kaluar, në të cilën ajo bëri thirrje për të arritur një marrëveshje për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë Këshillit të marsit, është sigurisht një shenjë e mirë.

Pavarësisht kësaj, kushtet e përcaktuara nga Bundestagu duhet të merren seriozisht dhe është inkurajuese të shohësh që shumë politikanë shqiptarë i referohen nevojës për të trajtuar kushtet e Bundestagut”.