TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Është zbuluar identiteti i terroristit që plagosi tre persona me thikë në jug të Londrës, në zonën e njohur si Streatham. Ai quhet Sudesh Amman, 19 vjeç dhe ishte liruar nga burgu vetëm një javë më parë.
Sudesh Amman ishte arrestuar nga policia e anti-terrorit në Londër, për shkak se kishte shpërndarë propagandën e Al Qaeda në një grup Whatsapp dhe sepse kishte deklaruar se dëshironte të kryente një sulm terrorist. Amman ishte dënuar me tre vite dhe katër muaj burg, pasi u deklarua fajtor për shpërndarjen e materialeve shqetësuese.
Megjithatë terroristi 19 vjeçar ishte liruar nga burgu, pasi kishte vuajtur vetëm gjysmën e dënimit, pavarësisht se autoritetet ishin të shqetësuar se ai vijonte të kishte pikëpamje ekstremiste.
Ditën e sotme, ai plagosi me thikë tre persona, njëri prej të cilëve vijon të jetë në gjendje të rëndë. Policia e eliminoi në vendngjarje terroristin. Ai mbante të veshur edhe një jelek eksploziv fallco. Kjo ka bërë që policia ta qëllojë sapo e ka parë.
Ky sulm terrorist në kryeqytetin britanik, vjen vetëm tre muaj pasi terroristi Usman Khan, vrau dy persona në London Bridge dhe plagosi tre të tjerë. Khan ishte liruar gjithashtu nga burgu dhe u qëlluar për vdekje nga policia në vendngjarje.
Pas këtyre dy sulmeve terroriste, mjaft të ngjashme me njëri tjetrin, ku agresorët janë persona të liruar nga burgu, kryeministri Boris Johnson ka deklaruar se qeveria do të prezantoje plane të reja për ndryshime thelbësore të sistemit, për "personat e dënuar për terrorizëm".
/TPZ.al/
Në foto, terroristi Sudesh Amman / Met Police
