TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të premten aprovoi dërgimin e ushtarëve në një qytet kryesisht hebre ultra-ortodoks, që shihet si qendra e shpërthimit të koronavirusit të ri në Izrael.
Shumë hebrenj ultra-ortodoksë kanë refuzuar të zbatojnë masat e mbylljes dhe distancimin shoqëror. Këtë javë ka pasur shkëmbime të tensionuara, ndërsa Policia rriti patrullimet në lagjet ultra-ortodokse që janë bërë pikat e nxehta të virusit.
“Duke parë situatën speciale në Bnei Brak, pas kufizimeve për shkak të koronavirusit, IDF (ushtria) menjëherë do t’i paraqesë ndihmën e nevojshme civile komunës Bnei Brak në përmbushjen e përgjegjësive të saj”, njoftoi zyra e Netanyahut pas bisedimeve me zyrtarët e sigurisë dhe shëndetit.
Motti Ravid, drejtor i spitalit “Mayanei Yeshua” në Bnei Brak, tha për AFP në fillim të kësaj jave se me internetin dhe televizionin e ndaluar në komunitetin ultra-ortodoks mbi baza fetare, direktivave qeveritare iu desh një kohë e gjatë për t’u marrë vesh atje.
Edhe për ata që përdorin telefona celularë, hyrja në internet dhe shumica e shërbimeve të mesazheve është e bllokuar, duke i përjashtuar ata nga forma kryesore e komunikimit të përdorur nga Ministria e Shëndetësisë.
Autoritetet kanë zbatuar kufizime për qasjen në Bnei Brak, një qytet me shumicë ultra-ortodokse pranë Tel Aviv, me rreth 200,000 banorë.
Më shumë se 7,000 raste të COVID-19, përfshirë 36 vdekje, janë deklaruar zyrtarisht në Izrael. Sipas mediave lokale, gjysma e të infektuarve janë hebrenj ultra-ortodoksë, një komunitet që përfaqëson vetëm rreth 10 për qind të popullsisë izraelite.
Zëdhënësi i Ushtrisë, Jonathan Conricus, tha se Ushtria do të vendosë 800-1,000 ushtarë në Bnei Brak për të ndihmuar autoritetet lokale “për shkak të ashpërsisë së situatës atje dhe për shkak të mungesës relative të zbatimit të udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë”.
Ushtarët do të ndihmojnë në shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve dhe do të ndihmojnë në evakuimin e personave me simptoma virusi. Ushtria gjithashtu do të përpiqet të sigurojë që mesazhet shëndetësore po arrijnë te komuniteti ultra-ortodoks.
Conricus tha se ushtarët do të visheshin me portokalli dhe shumica prej tyre nuk do të mbanin armë.
Ai tha se parashikon që do të ketë keqkuptime dhe zhgënjime në atë komunitet, por “po e marrim parasysh këtë”.
Vetë Netanyahu u rikthye në karantinë, pasi ministri i Shëndetësisë, Yaakov Litzman, një anëtar drejtues i komunitetit ultra-ortodoks, u testua pozitiv për COVID-19.