AKTUALITET, 7 Qershor 2021, 14:31

“Refuzuan përsëritjen e zgjedhjeve”, PD kërkon përjashtimin e shtatë gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor

“Refuzuan përsëritjen e zgjedhjeve”, PD kërkon

Partia Demokratike kërkon përjashtimin e shtatë gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor të cilët vendosën të rrëzojnë kërkesat e tyre për përsëritje të zgjedhjeve në tre qarqe dhe sipas saj nuk garantojnë paanshmëri për gjashtë të tjerët.

PD thekson se vazhdimi i ankimimeve me të njëjtën trupë zgjedhore, e cila është shprehur tre herë me radhë kundër kërkesës së PD për transparencën e zgjedhjeve, është në shkelje të parimeve themelore të Gjykatës së Strasburgut për dhënien e drejtësisë.

Deklarata e PD:

Partia Demokratike kërkon përjashtimin e 7 prej 8 gjyqtarëve e Kolegjit Zgjedhor, që kanë rrëzuar paditë për Gjirokastrën, Vlorën dhe Beratin.

Me vendimet e dhëna deri tani, këta gjyqtarë, njësoj si komisionerët politikë të KAS, refuzojnë transparencën mbi masakrën zgjedhore te 25 prillit.

Refuzimi i i kërkesave të PD për marrjen zyrtarisht të provave i vendos këta gjyqtarë në pamundësi për të gjykuar me paanësi 6 kërkesat e tjera të ngjashme te PD për blerjen e votës dhe deformimin e rezultatit të zgjedhjeve përmes përdorimit të shtetit në funksion të PS.

Në kërkesën për zëvendësimin e 7 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, PD argumenton se duke qenë se këta gjyqtarë e kanë shprehur tashmë mendimin e tyre kundër kërkesave të PD për zgjedhjet, ata do të vazhdojnë me të njëjtin qëndrim.

Kjo bën që vendimet e tyre për 6 paditë e tjera të PD të jenë të paracaktuara, në shkelje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor për një proces të paanshëm.

PD vlerëson se vazhdimi i ankimimeve me të njëjtën trupë zgjedhore, e cila është shprehur 3 herë me radhë kundër kërkesës së PD për transparencën e zgjedhjeve, është në shkelje të parimeve themelore të Gjykatës së Strasburgut për dhënien e drejtësisë.