AKTUALITET, 4 Korrik 2019, 16:07

Reforma në drejtësi, Meta bën lëvizjen e radhës

Reforma në drejtësi, Meta bën lëvizjen e radhës

Një ditë pas shqetësimit të Presidentit, i cili iu drejtua Këshilli i Lartë Gjyqësor për ta informuar në lidhje me vakancat për Gjykatën e Lartë, KLGJ ka lajmëruar një mbledhje ku do të hapet gara për emrat që do të duhen të konkurrojnë.

Në këtë takim do të bëhet i ditur sistemi i pikëzimit përmes së cilit do të filtrohen të gjithë gjyqtarët që do të shprehin interesin. Aktualisht Gjykata e Lartë funksionon vetëm me 2 anëtarë nga 9 që duhet të ketë. Madje qëndrimi në detyrë e kryetarit Xhezair Zaganjorit është apeluar në KPA. Edhe anëtari tjetër Ardian Dvorani është me mandate të përfunduar, por do të qëndrojë në detyrë deri në zëvendësim.

Në këto kushte shqyrtimi i çështjeve është bllokuar, ndërsa numri i dosjeve ka shkuar në 32 muaj. 9 muaj nga krijimi Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë vetëm vendime për komandimin e gjyqtarëve ne proceset që kanë vështirësi në gjykime.

Ndërkohë që procesi për përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatë të Lartë nuk ka përfunduar ndonëse kanë kaluar edhe afatet kushtetuese . Reagimi i presidentit Meta duket se ka vënë në lëvizje edhe Këshillin e Emërimeve në drejtësi, i cili do të mblidhet këtë të premte.

Anëtaret e KED do të takohen të premten ku mësohet se do të shpallin zyrtarisht nisjen e procedurave për vlerësimin, renditjen dhe pikëzimin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Aktualisht Kushtetuesja ka vetëm një anëtar nga 9 që duhet të ketë, Vitore Tushën, që po ashtu është me mandat të përfunduar. Gjithashtu ditën e premte Këshilli do të zhvillojë dhe hedhjen e shortit për përcaktimin e relatorëve për pozicionet vakante.