TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Liga e Kampioneve transformon plotësisht Real Madrid, që është kualifikuar pa shumë probleme përballë një skuadre si PSG, e cila kishte vendosur këtë turne si objektivin kryesor të sezonit. Madrilenët kanë përfituar si nga mungesa e Nejmar, ashtu edhe nga forma e jashtëzakonshme që tregon Ronaldo në këtë turne, për të fituar 2-1 dhe për të kaluar mes 8 ekipeve më të mira të turneut.
Në pjesën e parë loja ka qenë e balancuar, por rastin më të pastër e ka pasur Benzema, duke e humbur mundësinë për t’i shënuar Areolës edhe pse gjendej i vetëm përballë tij.
Barazia u prish pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, kur Lukas Vazkez gjeti saktësisht në zonë Ronaldon i cili nuk mund të gabonte nga pak hapa larg portës. PSG u hodh në sulm në kërkim të dëshpëruar të një barazimi, por Verrati shkatërroi gjithçka me një protestë të tepruar ndaj gjyqtarit duke marrë kartonin e dytë të verdhë e si rrjedhojë të kuqin, për të lënë ekipin e tij me 10 lojtarë.
PSG u mundua të ndryshonte diçka dhe gjeti golin që barazoi shifrat në minuitën e 72-të pas një goditje këndi, në zhvillimin e të cilës topi u përplas te Kavani dhe më pas përfundoi në rrjetë.
Mendohej se ky gol do të bënte ndeshjen më entuziazmuese në minutat në vazhdim, por gjithçka u mbyll praktikisht në minutën e 81-të, kur Kasemiro shënoi golin e 2-1 pas një goditje të devijuar nga mbrojtësit.
Rezultati nuk ndryshoi deri në përfundim të takimit dhe Reali kaloi me meritë në çerekfinalet e këtij aktiviteti të cilin e ka fituar në dy edicionet e fundit radhazi.