AKTUALITET, 26 Qershor 2018, 11:25

Reagon Balla: Nuk kam lidhje me paratë në Toyota, jam gati të më bëni gjyqin në Sheshin Skënderbej!

Reagon Balla: Nuk kam lidhje me paratë në Toyota, jam gati të

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas akuzave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se ai është garanti i parave të sekuestruara në portin e Durrësit në një makinë Toyota. Balla u shpreh se mban përgjegjësi penale dhe se ai nuk ka lidhje me këtë çështje. Ai kërkoi hetim dhe dënim për grupin kriminal dhe paralajmëroi padi për kreun e opozitës.

"Duke falenderuar policinë, nga deklarata e tyre kam kuptuar se një institucion ligjzbatues ka patur një rrjedhje informacioni tek një person i papërgjegjshëm që quhet Lulzim Xhelal Basha, i cili vuri në dyshim aksionin. Fatmirësisht këtë person nuk e marrin seriozisht kriminelët dhe aksioni u finalizua. Ju garantoj se Taulant Balla nuk ka asnjë lidhje me këtë cështje. Jo me mandatin e deputetit por me përgjegjësi penale. Jam gati të më bëhet gjyqi në Sheshin Skënderbej. Në fund të kësaj historie, Lulzim Basha i ka ca lidhje me këtë grup kriminal. Pres sot Lulzim Bashën të thotë çfarë ka për mua, unë do ti ruaj për të enjtën"

Balla shprehet se do të padisë Lulzim Bashën dhe i bëri thirrje prokurorisë të thërrasë cilindon që ka dijeni për paratë e sekuestruara dhe grupin kriminal.

"Pas konsultimit me kolegë  juristë, mendova që këtë shejtan budalla të mos e lë me kaq, por t’ja kthej në një mësim ekzemplar këtij shejtan budallai. Në politikë kemi bërë akuza ndaj njëri tjetri, por kurrë një gjë të tillë pa asnjë lloj provë, del ky dhe thotë paska shërbime partnere që i raportojnë, por nuk ka asnjë shërbim partner që t’i raportojë këtij delinkuenti.

Apeli im sot ndaj prokurorisë, duhet të mos vonojë në asnjë moment. Të thërrasë këdo. Të thërrasë së pari Lulzim Bashën që pretendon se ka informacion. Të thërrasë deputetët apo mua. Këtë rradhë Lulzim Basha nuk do t'ia hedhë paq". 

/TPZ.AL/