TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Hyrja në fuqi e ligjit të arsimit të lartë ka penalizuar infermierët e diplomuar në katërvjeçarin 2002-2006. Pas vitesh punë, rreth katër mijë infermierë janë njoftuar për ulje page e për më tepër do t’u duhet të rikthehen në auditorët e fakultetit për të kryer Masterin Shkencor, atë që ministria sot nuk ua quan.
Lajmi i raportuar në BIRN, flet për një njoftim të beftë nga Ministria e Arsimit për këtë kategori profesionistësh, në nëntor të 2017-ës, ku iu është komunikuar se shkollimi i tyre universitar 3 vjet e gjysmë në teori dhe një gjysmë viti praktikë, është e barasvlershme me diplomën bachelor dhe jo me master, siç njihej deri më sot. Por jo vetëm kaq. Infermierët e punësuar do të duhet të kthejnë shumën e parave të përfituara si rezultat i diplomës që presupozohej që gëzonin.
BIRN-i raporton se gjysmës së tyre u janë zbritur nga rroga tashmë rreth 4500 lekë në muaj, një pjesë e të cilave janë pjesë e parave që kthehen pas dhe pjesa tjetër ulje e pagës. Handikapi qëndron në faktin që e njëjta diplomë e zhvlerësuar në vend, ka vlerë sot në Gjermani, shtetin pritës të shumë e shumë profesionistëve shqiptarë të bluzave të bardha. Ky problem, me të cilin infermierët janë njohur vetëm në muajin maj, i ka shqetësuar jo pak ata dhe Urdhrin përkatës që i përfaqëson.
Presidenti i Urdhrit, Sabri Skënderi, është vënë në lëvizje duke kontaktuar me ministrinë dhe përfaqësues të fakultetit në kërkim të një zgjidhjeje të kënaqshme. “Jemi në kontakt si me Ministrinë e Arsimit ashtu edhe Fakultetin e Infermierisë për të gjetur një zgjidhje, por deri tani jemi në fazën e diskutimeve. Edhe në rastin që diplomat e konsideruara me kohëzgjatje 3.5- vjeçare konsiderohen bachelor, mendoj se kjo kategori duhet të trajtohet me kohëzgjatje tremujore studimi, thjesht për të plotësuar kurrikulat dhe shpresojmë që të ketë diferencim në pagesa, pasi është kosto shumë e lartë për infermierët”, nënvizon presidenti i UISH-it.
Infermierët që kanë përfunduar studimet dhjetë vite më parë, do të duhet të rikthehen edhe një herë në shkollë dhe të aplikojnë në një program master, për të plotësuar kurrikulat shtesë që do të miratohen. Në Fakultetin e Infermierisë, pagesat për studimet Master Shkencor dhe Profesional variojnë nga 120 mijë deri në 200 mijë lekë.