BOTA, 6 Shkurt 2018, 11:22

Rapiscani në Shqipëri, firma amerikane nën hetim për korrupsion

Rapiscani në Shqipëri, firma amerikane nën hetim për

Autoritetet në SHBA kanë nisur një hetim për ryshfet të mundshëm nga kompania amerikane e sistemeve të sigurisë me bazë në Kaliforni ‘OSI Systems’ pas një raporti të firmës së investimit ‘Muddy Waters LLC’ që denoncoi korrupsionin e firmës së Kalifornisë, shkruan ‘The Wall Street Journal’.

Kompania ‘OSI Systems’ tha në një deklaratë se Komisioni i Sigurisë dhe Shkëmbimit së SHBA-së po heton veprimet e saj në zbatim të Ligjit të Praktikave të Korruptuara të Huaja.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për Distriktin Qëndror të Kalifornisë gjithashtu tha se po planifikon të kërkojë informacione në lidhje me zbatimin e Ligjit të Praktikave të Korruptuara të Huaja nga ‘OSI Systems’, një ligj që ndalon dhënien e ryshfeteve ndaj zyrtarëve të huaj për të lidhur kontrata biznesi.

Firma e investimit ‘Muddy Waters LLC’, e cila kryen kërkime investigative për kompanitë publike, deklaroi më 6 dhjetor të vitit të kaluar se kompania e sigurisë ‘OSI Systems’ kishte fituar një kontratë të rëndësishme në Shqipëri përmes korrupsionit.

“Ne besojmë se kontrata në Shqipëri rezultoi nga një ryshfet masiv për gjysmën e vlerës së koncensionit” thuhet në raportin e ‘Muddy Waters’.

‘OSI Systems’ mohoi të gjitha akuzat në të njëjtën ditë. Kompania tha se Komisioni i Sigurisë dhe Shkëmbimit të SHBA-së dhe departamentet e drejtësisë gjithashtu po hetojnë shërbimet e tyre e sigurisë dhe se ka ndërmarrë veprime në lidhje me një zyrtar të lartë të kompanisë, por nuk komentoi statusin e zyrtarit.

Sakaq Carson Block, themeluesi firmës ‘Muddy Waters’ u shpreh për Wall Street Journal se: “Ne besojmë se ‘OSI Systems’ është e korruptuar dhe nisja e hetimeve për këtë kompani është një provë e fuqishme. Shpresojmë që investitorët të fillojnë të kuptojnë rëndësinë e ligjeve amerikane.”