TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Debati i tensionuar në parlament mes Ministrit për Diasporën Pandeli Majko dhe kryeministrit Rama, nuk do të kalojë aq lehtë. Majko refuzoi hapur votimin për projektligjin e Teatrit Kombëtar, ndërsa kryeministri Rama i tha që të dalë urgjent jashtë parlamentit.
Debati mes tyre vijoi disa minuta, kur jo pak herë ndërhyri edhe Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj për të çtensionuar situatën. "Mua mos më bëj numra. Ça është ky qëndrim, je në vete ti apo të ka ikur truri? Mos qëndro asnjë minutë këtu po votove kundër" - ishin disa fjalët që nxorri nga goja kryeministri Rama në drejtim të Majkos.
Ministri i Diasporës nga ana tjetër nuk i kurseu përgjigjet duke i thënë se: "Kam votuar para shumë vitesh kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, dhe sot po votoj prapë kundër. Është qëndrim konseguent, nuk ndryshoj për ty." - i është përgjigjur Majko.
"Ik nga parlamenti nëse nuk voton, çohu dhe largohu" - vijoi më tej Rama.
Gjatë debatit, mbërrijnë ministrat Xhaçka dhe Ahmetaj dhe ndërsa Majko bën sikur flet në telefon dhe largohet nga salla e kuvendit.
Ndërkohë ky diskutim ka vijuar pas seancës parlamentare, ku Rama ka lëshuar pas krahëve një sërë ofendimesh ndaj Majkos, i cili kishte braktisur sallën. Rama mësohet tu ketë thënë deputetëve socialist se ka ndërmend që do të shkarkoj Pandeli Majkon, si Ministër për Diasporën për shkak të refuzimit të këtij të fundit për të votuar projektligjin për Teatrin Kombëtar.
Majko mund të bëhet kurbani i parë i politikës për Teatrin, i cili e ka refuzuar shkatërrimin e tij edhe në vitin 2002, kur një propozim i njëjtë i erdhi në tavolinë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, në atë kohë Edi Rama.
Një rast i ngjashëm me Majkon është edhe ai i ish Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani. Ky i fundit u shkarkua nga Rama për shkak të rezistencës që bënte me disa vendime dhe projektligje të qeverisë. Pra, është i njëjti precedent, veçse kësaj here bëhet fjalë për një luftë brenda llojit, brenda Partisë Socialiste.
Nëse Majko do të largohet apo shkarkohet si Ministër, atëherë kjo do të shënojë përplasjen më të madhe në mazhorancën qeverisëse. Majko njihet si një mbështetës dhe promovues kryesor i Ramës si kryeministri i Shqipërisë. Ishte pikërisht Pandeli Majko i cili vendosë të mohojë kolegët e tij të vjetër të Partisë Socialiste për Edi Ramën. Dhe sot shpërblimi që po merr, është shkarkimi dhe me gjasë përfundimi i karrierës së tij politike./TPZ.AL/
Më poshtë video e debatit: