AKTUALITET, 22 Janar 2018, 22:03

Rama: Porositësit e vrasjes së Ivanoviç nuk janë...

Rama: Porositësit e vrasjes së Ivanoviç nuk janë...

Vrasja e Ivanoviç në Mitrovicën e Veriut deri tani nuk ka ndikuar negativisht në bisedimet Serbi-Kosovë, por mund të ndikojë edhe për mirë në këto bisedime.

Deklarata është bërë nga Kryeministri Edi Rama, i cili ka vlerësuar qëndrimin e mbajtur nga pala serbe pas kësaj ngjarjeje.

“Një hamendësim i arsyeshëm, që mbetet për tu verifikuar, është se porositësist e vrasjes së Ivanoviçit nuk janë shqiptarë”, tha Rama.

Në studion e Report Tv, Rama tha se Presidenti serb e dëshiron realisht një zgjidhje përfundimtare, por ende nuk i qaset zgjidhjes me një vendimmarrje përfundimtare për të këputur me shpatë nyjen gordiane. “Ka vullnetin, por është në një pikë ku ende s’ka zgjidhje përfundimtare”, tha Rama.

Në lidhje me shfuqizimin e Gjykatës Speciale në Kosovë, Kryeministri tha se kjo është një lëvizje e orkestruar, e zhvilluar në një terren paqartësie që ka krijuar konfuzion edhe te partnerët.

“Në fund të ditës, Kosova është nëna e të gjithë atyre që janë lindur aty, por është foshnja e atyre që lindi si shtet sovran, i të gjithë atyre që janë kundër zhbërjes së këtij tribunali”, tha Rama. Sipas tij, nëse tribunali do të ngrihej mbi librin e Dik Martit, do të ishte një zhgënjim shumë i madh.  “Atë raport e quaj një libër që ka fantazira shumë të mëdha, të paverifikueshme”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se mosdekretimi i ligjit për gjuhën shqipe në Maqedoni nga presidenti Ivanov nuk ishte surprizë.

“Nuk ishte asnjë surprizë, pasi Ivanov ka mbajtur këtë qëndrim më parë”, tha Rama, duke shtuar se e kundërta do të ishte surprizë për të. Kreu i Qeverisë tha se qëndrimi i Ivanov nuk do të pengojë që ligji të bëhet ligj, ndërsa shtoi se agjenda e politikës së jashtme të Shqipërisë nuk është e fshehur.