AKTUALITET, 8 September 2026, 17:13

“Rama me Ron Yeffet-in e tij, trafikant ndërkombëtar armësh”- Përgjimet e publikuara nga Ahmetaj, Berisha: Nufi i Lubisë u emërua për kontrabandë

“Rama me Ron Yeffet-in e tij, trafikant ndërkombëtar

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka reaguar pas denoncimeve të Arben Ahmetajt dhe publikimit të një regjistrimi audio ku përmendet biznesmeni Ron Yeffet, duke ngritur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kompanisë KAYO.

Në një deklaratë, Berisha pretendon se qeveria shqiptare, përmes KAYO-s dhe personave të lidhur me të, është përfshirë në trafik ndërkombëtar armësh.

Sipas Berishes, Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, po përdoret për aktivitete të paligjshme të lidhura me trafikun e armëve.

“Rama me Ron Yeffet-in e tij, trafikant ndërkombëtar armësh! Nufi i Lubisë u emërua për kontrabandë”, shkruan Berisha.
Deklaratë e Kryetarit të PD, Sali Berisha

Të dashur miq, Ramaduro nuk ngopet vetëm me trafikun e drogës, por përmes ndërmarrjes shtetërore dhe Ronit të tij shkelin ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare. Një vend anëtar i NATO-s merret me trafikun e armëve. Ai shfrytëzon luftën në Ukrainë për të mbuluar trafikun e tij kriminal të armëve.

Arben Ahmetaj, në intervistën e tij me Çim Pëkën, publikoi regjistrimin me zë të Ron Yeffet-it, trafikantit të Edi Ramës. Në të faktohet qartë se Edi Rama dhe Roni i tij, përmes ndërmarrjes së tyre “Kayo” dhe me ndihmën e Nufit, në shkelje flagrante të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, bëjnë trafik ndërkombëtar armësh. Ata e përdorin Shqipërinë, vend anëtar i NATO-s por dhe çiflik i Padrinos, për ta paraqitur si vend eksportues të armëve që blejnë apo prodhojnë në zona luftimesh, si Sudani etj.

Në regjistrimin e bisedave telefonike të Ron Yeffet-it të Ramës, del se ai e di që po bën punë të pista, por u pohon bashkëbiseduesve se është i ngarkuar për të bërë punët e pista në këtë rast, krimin e rëndë të kontrabandës së armëve të qeverisë, në fakt drejtpërdrejt të Edi Ramës.

E dënoj me forcën më të madhe këtë krim të shëmtuar. Kontrabanda e armëve e Edi Ramës është një rast i paprecedentë në botë: përveç drogës, ai tashmë u është kthyer edhe armëve.

Opozita do të depozitojë urgjentisht në Kuvend kërkesën e saj për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për këtë megaskandal ndërkombëtar të Edi Ramës.