AKTUALITET, 8 September 2026, 13:27

Tragjike/ Po vendosnin ndriçimin e rrugës në Tropojë, korrenti godet 4 punonjës të Bashkisë! Njëri humb jetën, tre të tjerë në spital

Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të hëne në Tropojë, ku një punonjës i Bashkisë ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur gjatë punimeve për vendosjen e shtyllave të ndriçimit publik.

Ngjarja ka ndodhur pranë Urës së Bujanit, në aksin rrugor Bajram Curri–Bujan, ku punonjësit e Bashkisë po kryenin punime për vendosjen e shtyllave përgjatë rrugës.

Sipas të dhënave paraprake, gjatë procesit të punës, punonjësit kanë rënë në kontakt me rrjetin elektrik të transmetimit të tensionit të mesëm. Kontakti me energjinë elektrike ka shkaktuar një incident të rëndë, duke i lënë katër punonjës të dëmtuar.

Njëri prej tyre nuk ka mundur t’u mbijetojë goditjes nga energjia dhe ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerët janë plagosur dhe janë transportuar për të marrë ndihmë mjekësore.

Ende nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e emergjencës, ndërsa policia ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes.

Grupet hetimore po punojnë për të dokumentuar mënyrën se si ka ndodhur kontakti me linjën e tensionit të mesëm, si dhe për të përcaktuar nëse janë respektuar rregullat e sigurisë në punë gjatë kryerjes së punimeve.

Autoritetet pritet të japin më shumë informacion në vijim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti tragjik vijojnë.