AKTUALITET, 8 September 2026, 16:11

Ministri Hoxha takim me Komandantin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën: Shqipëria e vendosur të luajë rolin e saj krah SHBA-ve për paqen dhe sigurinë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha priti sot në Tiranë Gjeneral Major Jasper Jeffers, Komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën.

Në një postim në X, Hoxha theksoi se “diskutuam rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në ISF, që shndërron në kontribut real në terren, një prej komponentëve kryesorë të politikës sonë të jashtme: avancimin e paqes dhe sigurisë dhe gatishmërinë për të kontribuar aty ku përpjekjet ndërkombëtare mund të bëjnë një ndryshim.”. Ministri nënvizon se si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, Shqipëria është e vendosur të luajë rolin e saj përkrah Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë në mbështetjen e përpjekjeve për të krijuar kushtet për siguri, stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

“Pjesëmarrja jonë në ISF pasqyron gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar konkretisht në një iniciativë që synon ruajtjen e sigurisë dhe dinjitetit të popullit të Gazës, lehtësimin e ndihmës humanitare dhe rindërtimin, dhe ndihmën në krijimin e kushteve për një horizont politik të besueshëm dhe të qëndrueshëm për një jetë më të mirë për të gjithë”, tha Hoxha.

Ministri shtoi se “Shqipëria ka demonstruar vazhdimisht angazhimin e saj për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, përmes NATO-s, Kombeve të Bashkuara dhe misioneve të tjera ndërkombëtare.”