TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në këtë fund gushti, Partia Socialiste po hyn në një fazë të re intensive politike, ndërsa qeveria përgatitet për nisjen e sesionit të ri. Kryeministri Edi Rama ka programuar një seri takimesh në Pogradec, ku pritet të diskutohen prioritetet e PS-së dhe performanca e qeverisë.
Takimi i parë zhvillohet sot rreth orës 11:30 në vilën qeveritare të Pogradecit. Sipas burimeve nga Partia Socialiste, në mbledhje do të marrin pjesë 12 drejtuesit politikë të qarqeve, së bashku me kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.
Në qendër të diskutimeve pritet të jenë dy dokumente të dorëzuara në fund të korrikut pranë grupit parlamentar socialist, të njohura si “Besa” dhe “Prania e Besës”. Rama pritet të marrë prej drejtuesve reflektimet mbi përmbajtjen e tyre, me synimin për t'i pasuruar më tej dhe për të hartuar një dokument përfundimtar.
Në diskutime pritet të përfshihen edhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Axhenda e kryeministrit do të vijojë edhe në mbrëmje, me një darkë ku do të jenë të pranishëm drejtuesit politikë, ministrat dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare. Takimi pritet të shërbejë edhe si një moment koordinimi përpara nisjes së një jave të rëndësishme për qeverinë.
Ndërkohë, të hënën në Pogradec do të zhvillohet mbledhja informale e qeverisë, e njohur si “retreat”. Ministrat do të paraqesin raportet mbi punën dhe rezultatet e dikastereve të tyre gjatë periudhës janar-gusht 2026. Këtë herë, ndryshe nga mbledhjet e mëparshme të këtij formati, në takim nuk pritet të jenë të pranishëm zëvendësministrat. Përveç ministrave, pjesë e diskutimeve do të jenë edhe drejtuesit e agjencive në varësi të tyre.
Raportimet nuk do të kufizohen vetëm te puna e institucioneve. Ministrat pritet të japin llogari edhe për komunikimin publik, përfshirjen në media dhe aktivitetin në rrjetet sociale. Por axhenda politike e socialistëve nuk përfundon me takimet e Pogradecit. Sipas burimeve brenda PS-së, në javën e parë të shtatorit pritet të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste.
Mbledhjet e mëparshme të kësaj strukture kanë shërbyer shpesh si momenti ku Rama ka paralajmëruar ose prezantuar ndryshime në përbërjen e kabinetit qeveritar. Për këtë arsye, edhe mbledhja e radhës pritet të jetë në vëmendje të opinionit publik.