AKTUALITET, 9 Nëntor 2020, 20:44

Rama mashtron gratë naftëtare, i nxjerr nga greva, nuk u jep asnjë pagë

Rama i ka ngrënë në besë gratë naftëtare që i nxori nga greva dhe iu ofroi vetëm një pagesë papunësie. Përfaqësia e naftëtarëve kanë dalë duarbosh nga takimi me kryeministrin Edi Rama. 8 të deleguarit e naftëtarëve të Ballshit, pas 2 orësh bisedime në bashkinë e Fierit, kanë marrë vetëm premtime në erë.

“Ja çfarë na tha Rama”

“Ne kërkojmë të marrim pagat që kemi fituar në gjyq. Pagat nuk u morën përsipër, na thanë që është e panegociueshme. Takim të dytë do të ketë nëse do të mbahen premtimet”, deklaroi pas takimit kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të Ballshit, Sokol Dautaj.

Qeveria u premtoi naftëtarëve vetëm 1 pagësë papunësie dhe vënien në punë të rafinerisë. Kryetari i sindikatës Sokol Dautaj, i cili u shpreh se vendimi tashmë i takon punëtorëve, të cilët mund të vendosin të rikthehen në grevë apo të pranojnë kushtet e Ramës.

“Me zotin Rama kërkesa e parë është ajo e pagave të prapambetura. Nuk është arritur marrëveshja. Asnjë nga palët nuk ka rënë dakord. Është rënë dakord në muajt në vazhdim të marrim nga një pagë të plotë. Nuk kemi dalë të kënaqur”, sqaroi Dautaj.

Sipas tij, Rama u premtoi risjelljen në rafineri të një kompanie serioze dhe dhënien e një page. Por gjithçka do të diskutohet me kolegët, tha ai.

“Ne kemi një pikë të panegociueshme, pagat tona. Shteti nuk i merr përsipër me 15% të pagave, por rivënien në punë të rafinerisë dhe të japë një pagë. Ne diskutuam një projekt që ata kanë. Nesër nëse punëtorët duan mund të futen sërish në grevë, do të shkojmë në grevë sërish.”, tha Dautaj.

Rama: Unë nuk ofroj.... do të sjell një kompani tjetër

Në dalje, pas takimit, Rama dha versionin e tij për bisedën me grevistët. Kreu i qeverisë tha se është vendosur që qeveria t’i mbështesë naftëtarët financiarisht, por jo me pagën e tyre të punës.

“Patëm një bashkëbisedim të hapur. Më vjen mirë që i krijuan këto kushte, pasi në kushtet e grevës nuk mund të bisedohej. Janë gjithë ato familje që kalojnë një moment aspak të lehtë. Faktikisht kemi ndarë kohën, në sensin që çfarë janë çështje që lidhen me marrëdhënien private, janë çështje që nuk i takojnë qeverisë, por çështja e këtyre njerëzve sot është një çështje që na takon ne, që ta adresojmë së bashku me ta, me mirëkuptimin e tyre, pasi rruga e thjeshtë ligjore do të ishte që të drejtoheshin në zyrat e punës për të marrë asistencën. Në këtë rast bëhet fjalë për një grup njerëzish që kanë një eksperiencë dhe një formim profesional në një fushë që ne nuk kemi absolutisht luksin ta zhbëjmë.

Për këtë arsye ne u kemi propozuar që qeveria të marrë përsipër një mbështetje financiare në kohë për gjithë punëtorët, nuk mund të jetë paga e punës së tyre, sepse faktikisht rafineria është e fikur. Nuk është çështja jonë paga e prapambetur, ajo është një çështje që ka të bëjë me marrëdhënien e tyre me kompaninë. Vendimi gjyqësor për të cilin ata flasin lidhet me detyrimet e kompanisë, jo me të qeverisë. Qeveria nuk merr përsipër të zgjidhë ato çështje, që i zgjidhin kompanitë. Nuk i takon qeverisë të adresojë atë vendimi gjyqi. Ne nuk jemi dorëzuar lidhur me të ardhmen e kësaj rafinerie, sepse të gjitha analizat tona tregojnë se rafineria nuk është për skrap sot”, tha Rama.

Kreu i sindikatës Sokol Dautaj thotë se janë 900 punëtorët e uzinës ata që do të vendosin se çfarë do të bëjnë të nesërmen. Shumë prej naftëtarëve kanë deri në 26 paga pa marrë.

Rafineria e Ballshit u mor në administrim në mars të vitit 2018 nga kompanitë “Tosk Energji” dhe “Bylis Energji”, të cilat janë regjistruar në parajsat fiskale. Ligjërisht Rafineria e Ballshit përket kompanisë “Armo”, e cila e ka 85% të aksioneve ndërsa 15 % i përkasin shtetit shqiptar.

/TPZ.al/