AKTUALITET, 1 Mars 2019, 12:57

Rama: Koha kur Shqipëria trajtohej si pronë private ka ikur

Rama: Koha kur Shqipëria trajtohej si pronë private ka ikur

Në Samitin e dytë të Diasporës në Tiranë, kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria ka hyrë në rrugën pa kthim për të ndërtuar një sistem drejtësie, i cili do të pastrojë njëherë e mirë të korruptuarit në administratë.

Sipas tij, tashmë ka përfunduar koha kur gjyqtarët dhe prokurorët e shihnin vendin si pronën e tyre.

Rama u shpreh se politikanët shqiptarë që kanë bërë pazare do të përgjigjen para drejtësisë së re, e cila sipas tij, po formësohet duke i mbyllur derën kohës kur të drejtën e caktonte partia.

“Liza tha duhen më shumë gra. Kjo në fakt është koha që qeveria e Shqipërisë ka 50 për qind gra në Kuvend. Kjo është koha ku ka më shumë gra edhe në këshillat bashkiakë. Sot na duhet që të vijojmë të ecim në rrugën që kemi nisur, sepse po flasim për shtet bërje dhe jo për të ngrënë darkë e pirë raki. Ne do të flasim për luftën më të madhe, të vërtetë, që i është hapur korrupsionit në Shqipëri. Po si luftohet korrupsioni? Kjo luftohet duke ndërtuar një sistem drejtësi, që t’i ndjekë atë këmba këmbës.

Gjyqtarët dhe prokurorët e kanë mbajtur Shqipërinë si pronë private dhe pronat e shqiptarëve i kanë bërë lesh e li. Hap pas hapi po ndërtohet drejtësia, duke larguar llumin nga sistemi i drejtësisë. Asnjë shqiptar nuk do të këtë paqe, deri ditën që do të shoh politikanë dhe vendimmarrësit, që kanë bërë punë dhe pazare të paraqiten para drejtësisë. Koha kur drejtësinë e bënte partia ka vdekur në vitin 1990. Kjo është koha për të ndërtuar një sitëm drejtësie ashtu si nga vendet nga ku ju keni ardhur. Shqipëria ka rritur eksportet”, tha ai.