AKTUALITET, 29 Maj 2019, 16:23

Rama rrëzon vetëveten me një alibi qesharake: Nuk e di a do të hapen negociatat, varet nga opozita...

Rama rrëzon vetëveten me një alibi qesharake: Nuk e di a do


Kryeministri Edi Rama, pas publikimit të progres-raportit për Shqipërinë, është shfaqur në një bashkëbisedim me gazetarët, krah për krah ambasadorit të BE-së, Soreca. Ai ka folur për mundësinë e hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian këtë vit, edhe pse për kryeministrin negociatat janë hapur që në vitin 2018 dhe tashmë bisedimet duhet të ishin formalizuar. (shih videon)

Sot, një vit pas këtij suksesi imagjinar që Edi Rama dhe mediat pranë tij deklaronin, kryeministri ka ndryshuar kryekëput. Ai deklaroi përpara gazetarëve, se nuk mund ta thotë me siguri nëse negociatat do të hapen, sepse kjo varet nga veprimet e opozitës.

"Nuk e them dot me siguri a do të hapen negociatat këtë vit, sepse nuk e di si do të precipitojë opozita rrugore e Shqipërise. I vetmi ekuacion i panjohur është opozita rrugorë e Shqipërise".

Po në në këtë linjë, kryeministri deklaroi në studion e Blendi Fevziut, se nëse negociatat nuk hapen, kjo vjen si pasojë e forcave populiste në BE. I pyetur nga gazetari Andi Tela, se çfarë ndodh nëse negociatat i hapen Maqedonisë së Veriut por jo Shqipërisë, kryeministri, pa u skuqur dhe pa u zverdhur aspak,  deklaroi se, atëherë fajin e ka Sali Berisha dhe Lulizm Basha. (shih videon)

I gjendur nën "rrethim", nga deklaratat e tij të një viti më parë, nga gënjeshtrat e njëpasnjëshme se negociatat ishin hapur dhe se pritej vetëm formalizimi i tyre , por veçanërisht nga dështimet e qeverisë së tij, Kryeministri tashmë ka nisur të prodhojë alibi mjaft qesharake. Në të gjithë skenarët që Rama deklaron, vihet re se çuditërisht, edhe pse është kryeministër i vendit prej gjashtë vitesh, ai është i vetmi që nuk ka asnjë përgjegjësi, për këtë dështim spektakolar. Kryeministri identifikon kundërshtarë të Shqipërisë në çdo vend, nga populistët e  Europës, tek ekstremistët dhe parlamentarët hollandezë dhe në fund, kur nuk mbetet më askush jashtë vendit, fajin e ka opozita e Lulzim Bashës dhe retorika e Sali Berishës, apo Monika Kryemadhit.

/TPZ.al/