TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në fjalimin e parë që Edi Rama mbajti për skandalin e vëllezërve Xhafaj, u duk sikur ai manovroi në mënyrë hileqare nga përgjegjësia si kryeministër, duke përdorur emrin e Donald Lusë për alibi. Sapo ishte publikuar dënimi me 7 vjet e 2 muaj burg për Agron Xhafajn. Akuzave të opozitës se vëllai i ministrit ende vazhdonte aktivitetin kriminal, Rama i vuri përballë heshtjen e ambasadës amerikane.
Tërheqjen në lojë të amerikanëve, Rama e bëri krejt i shpenguar dhe ironik, herë duke e etiketuar ambasadorin si “protagonisti i jetës tonë publike”, herë si “njohësi i kudondodhur i të gjithë proceseve tona për të vënë drejtësi në këtë vend”.
“Si ka mundësi? Si ka mundësi, që ndërkohë që shpërtheu ky zbulim sensacional, ambasdori amerikan nuk iu referua hiç këtij fakti kaq tronditës” shprehej shefi i qeverisë, me një llogjikë që gati gati vendoste ambasadën amerikane përballë akuzave të opozitës.
Donald Lu nuk e la pa përgjigje kryeministrin, por gjithsesi nuk mbajti qëndrim për thelbin e çështjes.
“Edi Rama të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. SHBA po shqyrton akuzat për vëllain e Fatmir Xhafës”ishte mesazhi steril që ambasada amerikane shpërndau në media.
Mesazhi i ambasadorit amerikan nuk e rrëzoi tentativën tinzare Rama la të kuptohej në parlament, se Fatmir Xhafaj kishte mbështetjen e ambasadës amerikane dhe përballë saj, jo vetëm faktet dhe zbulimet e PD-së nuk kishin vlerë, por edhe ai vetë ishte i limituar.
Madje qëndrimi i Ramës për çështjen Xhafaj u lëkundën fort 4 ditë më pas, kur doli në media përgjimi i skafistit Albert Veliu. Për herë të parë dhe të vetme, Partia Socialiste nuk e përjashtoi mundësinë që personi tjetër në audiopërgjim të ishte Agron Xhafaj. Taulant Balla (aspirant për Ministër i Brendshëm) përmendi implikimin moral të Xhafajt, duke dhënë idenë se PS po e lëshonte edhe njëherë ministrin brendshëm.
“Nëse do të ishte e vërtete atëherë kemi të bëjmë me një provë që implikon penalisht vëllanë e ministrit dhe moralisht këtë të fundit” ishte shprehja që përdori Taulant Balla në konferencë.
Por siç tregoi koha, deklarata ishte vetëm një devijim i momentit. Një ekspertizë sekrete, të cilën e konfirmojnë vetëm Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj dhe që opozita e quan “ekspertiza e Surrelit” u tha se ishte provë që audio-përgjimi i Albert Veliut ishte fals dhe si i tillë nuk e implikonte Ministrin e Brendshëm.
Rama u kujdes të saktësojë se kjo ekspertizë ishte bërë thjesht për kuriozitet dhe si e tillë nuk e pengonte hetimin e prokurorisë, por mjaftonte për të mos e shkarkuar Xhafajn nga detyra.
Por këtë të enjte, në një klimë të trazuar politike, kur emri i Fatmir Xhafajt sipas opozitës është sinonim i krimit dhe i drogës, ambasadori Donald Lu vizitoi zyrën e ministrit dhe i shprehu hapur mbështetjen e tij.
Në njoftimin që shpërndau ministria thuhet se: “Ambasadori Lu inkurajoi Ministrin Xhafaj dhe Policinë e Shtetit, për të vijuar edhe më me intensitet përpjekjet për më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar, pasi kjo sipas tij, është ajo çka qytetarët presin sot më shumë se çdo herë tjetër, nga Policia e Shtetit.
Ai konfirmoi edhe njëherë mbështetjen dhe asistencën e SHBA-ve dhe Agjencive ligj zbatuese, për thellimin e rezultateve të deritanishme”.
Madje Donald Lu bëri edhe një veprim teatral, kur e ftoi ministrin të hipte në makinën e ambasadës, pasi të dy ishin nisur në ambjentet e Task Forcës Speciale. Gjesti simbolik jo rastësisht u krye ndërsa kamerat e televizioneve i filmonin të dy duke ecur bashkë.
Fjalët dhe veprimet e Lu nuk lënë vend për keqkuptime. Duket se është konfirmuar plotësisht ajo që flitej nën zë, se Fatmir Xhafaj pati mbështetjen direkte të ambasadës amerikane dhe më shumë se Rama, e mbajti në detyrë miku i tij amerikan.©Lapsi.al