Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai grek Aleksis Tsipras do te takohen në kuadrin e samitit të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Londër, në datën 10 korrik, sipas burimeve pranë qeverisë greke.
Dy homologët do të kenë rastin të diskutojnë zhvillimet e arritura në negociatat mes dy vendeve, sa i përket paketës së çështjeve të pazgjidhura që ato përballojnë, si dhe për vizitën e kryeministrit grek në Tiranë për Paktin e ri të Miqësisë dhe Bashkëpunimit, që do nënshkruajë Greqia dhe Shqipëria.
Gjithashtu, në Londër do të diskutohen edhe zhvillimet ndërkombëtare si dhe marrëveshja e Prespës dhe vlera e saj në rajon.
Në axhendë ndodhet padyshim edhe perspektiva europiane e Shqipërisë, si dhe mënyrat se Greqia mund të ndihmojë në këtë drejtim.
Tsipras do të ketë përsëri në Londër një takim edhe me kryeministrin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Zoran Zaev.
Samiti i Ballkanit Perëndimor në Londër është samiti i pestë i radhës i thirrur në kuadrin e procesit të Berlinit për vendet e rajonit.