AKTUALITET, 17 Gusht 2021, 19:24

Racizëm në TV? /Ish ministri i PD-së sugjeron se afganët mund të sjellin "përdhunime" në Shqipëri 


Ish ministri i Brendshëm nga rradhët e Partisë Demokratike, Dritan Demiraj, ka bërë një deklaratë befasuese dhe raciste, në televizionin "Syri", duke sugjeruar se afganët që do të strehohen në Shqipëri, mund të sjellin "terrorizëm dhe përdhunime femrash".

Në deklaratën e tij, Demiraj duket se i lidh përdhunimet që kanë ndodhur në vendet e tjera ndaj grave, me kombësinë e agresorëve, duke sugjeruar në këtë mënyrë, se krimi i përdhunimit, ka lidhje me racën apo kombësinë, e personave që e kryejnë atë.

"Ardhja dhe instalimi i qytetarëve afganë në Qytetin Studenti përbën një rrezik të madh. Edhe ato pak qytetarë afganë që janë marrë nga qeveria gjermane, ka pasur sulme terroriste, përdhunime femrash", citohet të ketë thënë Demiraj.

Deklarata e ish ministrit, nuk bazohet në asnjë fakt apo studim, dhe mund të karakterizohet si racizëm i hapur ndaj afganëve, të cilët ai i cilëson si përdhunues potencialë apo persona të predispozuar për të qenë përdhunues për shkak të kulturës së tyre, duke i bërë thirrje qeverisë të ketë kujdes.

Demiraj  vijon deklaratën e tij duke thënë se për afganët "do të jetë shumë e vështirë të përshtaten me situatën e Shqipërisë", për shkak të ndryshimeve kulturore.

Kujtojmë se në Shqipëri do të mbërrijnë një grup afganësh, të cilët do të strehohen përkohësisht në vendin tonë, deri në largimin drejt SHBA-ve. Ata janë kryesisht persona që kanë bashkëpunuar me SHBA-të dhe forcat aleate, të cilët u frikësohen hakmarrjes së talebanëve.

Dritan Demiraj: Dua ti dërgoj një mesash kryeministrit dhe institucioneve të sigurisë që të jenë të kujdesshëm pasi politikanët nuk e kanë idenë se çfarë përfaqësojnë qytetarët afganë.

Ardhja dhe instalimi i qytetarëve afganë në Qytetin Studenti përbën një rrezik të madh. Edhe ato pak qytetarë afganë që janë marrë nga qeveria gjermane, ka pasur sulme terroriste, përdhunime femrash. Imagjinoni një grup afganësh nga x persona, të cilët do jetojnë në Qytetin Studenti, kur jemi në muajin gusht dhe sesi vishen vajzat dhe djemtë tonë, pasi jemi kultura të ndryshme.

I bëj thirrje qeverisë të jenë të kujdesshëm. Vendet e zgjedhura, Qyteti Studenti, plazhet e Durrësit, të jenë të vëzhguara dhe të ruajtura mirë pasi rastet në Gjermani dhe Francë kanë treguar se kemi pasur sulme terroriste dhe më tepër

Pas bujës mediatike, Demiraj ka reaguar sërish, duke deklaruar se nuk është racist, por duke i qëndruar versionit, se afganët mund të përbëjnë rrezik, për shkak të kulturës së tyre.

"Kultura Afgane është totalisht konservatore dhe totalisht kontraditore me kulturën tonë si në sjellje, veshje, qëndrime, komunikime etj, dhe duhet të kemi kujdës në trajtimin e kësaj çështje", shkruan ndër të tjera ai.

Reagimi i Demirajt në rrjetet sociale: 

Sqarim për opinionin publik!

Gjatë një interviste për Syri.tv ditën e djeshme, pyetjes së gazetarit në lidhje me çështjen e refugjatëve Afganë në Shqipëri, krahas të tjerash, si ushtarak dhe si ish Komandant i një sërë misionesh në Afanistan, ku kam parë dhe prekur nga afër realitetin Afgan, nuk do ishte etike që të mos ndaja me opinionin publik disa shqetësime mbi aspektet e sigurisë të cilat duhet të mbahen në konsideratë duke patur parasysh kulturën, traditat, arsimimin e refugjatëve Afganë përkundrejt shoqërisë tonë.

Për fat të keq, si jo pak herë në Shqipëri, ajo çfarë pashë sot në disa portale ishtë deformimi total i kontestit të intervistës duke bërë shkëputje dhe montazh të fjalëve të vëçanta të intervistës dhe duke krijuar lajme apo tituj bombastikë për të patur një klikim më shumë. Madje disa portale shpreheshin që deklarata ime në lidhje me kulturën konservatore të popullit Afgan, ishtë deri në kufijt e racizmit… Mendoj që sot nuk është as vendi dhe as momenti për të patur “tutuj bombë” për klikime, apo qëllime të tjera në ‘backstage”.

Si rrjedhojë, ndjej detyrim sqarimin e opinionit publik dhe atyre portaleve, media dhe gazetarë profesionistë të vendit tonë si më poshtë:

  1. Nëse të deklarosh “që duhet të kemi kujdes pasi me vendosjen e refugjatëve Afganë në Qytet Studenti është rrezik i madh” pasi në atë vendqëndrim, agjencitë tona të shërbimeve inteligjente dhe ligjzbatuese do ta kenë shumë të vështirë të monitorojnë dhe mbajnë nën mbikqyrje me kapacitet të plotë situatën – quhet “racizëm” , atëherë “racizëm” le të jetë…
  2. Nëse të deklarosh që “duhet të kemi kujdes pasi në Qytet Studenti kemi fëmijët e studentët tanë dhe kultura Afgane është totalisht konservatore dhe totalisht kontraditore me kulturën tonë si në sjellje, veshje, qëndrime, komunikime etj”, dhe duhet të kemi kujdës në trajtimin e kësaj çështje – quhet “racizëm” , atëherë “racizëm” le të jetë…
  3. Nëse të japësh shembuj konkret se shqetësimet që unë ngrita gjatë intervistës së djeshme i ilustrova me ngjarje që kanë ndodhur në vende të tjera të Europës si Gjermania dhe Franca duke thënë kështu që “duhet të kemi kujdes pasi sulme terroriste dhe përdhunime kanë ndodhur dhe në vendet më të zhvilluara të Europës” – quhet “racizëm”, atëherë “racizëm” le të jetë…

Le të jem unë “racist-i” i cili i bëj thirrje të gjithë palëve të vendit tim si qeveri, institucione të sigurisë, opinion publik, shoqëri civile etj.. “që është detyre jona që të kushtojmë kujdes të veçantë shqetësimeve që historia ka treguar që kanë ndodhur dhe në vendet më të zhvilluara”. Është detyrë dhe nder për Shqipërinë që të japë kontributin e saj dhe të strehojë çdo refugjat që i kërcënohet jeta, pa dallim feje, ngjyre, krahine apo ideje….por gjithashtu është detyra jonë që të jemi vigjilent!

Dhe nëse për të qenë dhe treguar vigjilencë e kujdes për vendin tonë, familjet tona si dhe ato bij dhe bija nënash që ne strehojmë do të duhet një “kokë turku” qe ta quajmë “racist”, atëherë, le të jem unë ai “racist”!

Faleminderit