TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Talebanët kanë mbajtur konferencën e parë për shtyp, pas marrjes së Kabulit në Afganistan. Zëdhënësi i tyre bëri përpjekje për të shpjeguar se talebanët nuk janë njëlloj si ata të 2o viteve më parë dhe se gjatë kësaj kohe ka patur një "proces evolucioni".
"Vendi ynë është një vend mysliman, 20 vjet më parë dhe tani. Por, kur vjen puna tek eksperienca, maturia dhe vizioni, sigurisht ka një ndryshim të madh mes nesh sot dhe 20 vite më parë. Ka një ndryshim të akteve që do të ndërmarrim. Ka patur një proces evolucioni", tha zëdhënësi taleban, Zabihullah Mujahid.
Ai ka dhënë disa shpjegime, por pa detaje të shumta, lidhur me kontrollin që talebanët kanë mbi territorin e Afganistanit, rregullat në të cilat duhet të jetojnë tashmë gratë dhe se si duhet të operojnë mediat në vend, duke deklaruar se shpjegimet do të jepen nga qeveria që do të formohet.
Një nga shqetësimet kryesore të këtyre ditëve, ka qenë fakti se talebanët njihen për trajtimin brutal të grave dhe shkeljen e të drejtave të tyre bazike, si shkollimi, punësimi dhe marrja e vendimeve për jetët e tyre. Muhajid tha se gratë do të lejohen të punojnë, por sipas rregullave të Sheriatit, ligjit në Islam, duke mos dhënë shpjegime të mëtejshme.
"Do t'i lejojmë gratë të punojnë dhe të studiojnë, sipas rregullave tona. Gratë do të jenë shumë aktive në shoqërinë tonë, sipas rregullave tona. Zotohemi për të drejtat e grave sipas Sheriatit", tha ai, pa shpjeguar ndonjë interpretim të ligjeve sharia.
Zëdhënësi foli edhe për rolin e medias në vend, duke deklaruar se asgjë kundër islamit nuk është e lejuar.
"Asgjë nuk duhet të jetë kundër vlerave islamike, kur është fjala për aktivitetin e medias. Media nuk duhet të punojë kundër nesh. Duhet të punojnë për bashkimin e vendit", deklaroi ai.
Nga ana tjetër, talebanët janë zotuar se nuk do të ketë hakmarrje ndaj atyre që kanë bashkëpunuar me amerikanët dhe forcat aleate. Ata bënë thirrje që punonjësit e administratës së kthehen në vendet e punës dhe të rinjtë që kërkojnë të largohen në SHBA dhe jashtë vendit, të qëndrojnë për të dhënë kontributin e tyre në Afganistan.
Zëdhënësi deklaroi se talebanët nuk po ndjekin askënd dhe se aktet të tilla janë kryer nga kriminelë, duke përdorur emrin e tyre.
"Dua të sigurojë komunitetin ndërkombëtar, se askush nuk do të lëndohet. Nuk duam të kemi asnjë problem me komunitetin ndërkombëtar. I kemi falur të gjithë ata që luftuan kundër nesh", tha zëdhënësi taleban.
"Afganistani nuk do të jetë një vend ku kultivohet opium. Do ta çojmë kultivimin e opiumit në nivelin zero sërish", tha ndër të tjera Mujahid .
/TPZ.al/