AKTUALITET, 24 Dhjetor 2020, 21:25

Qoka në TV/ Fevziu bën shëtitje në zyrën e Ramës, ku i tregojnë popullit dhuratat, lodrat dhe zhgarravinat


Blendi Fevziu, ka braktisur qytetet dhe fshatrat e panumërt të Shqipërisë, të cilët i shfaq në Opinion dhe u gjen gjithmonë vetëm anë pozitive, kur janë copë copë, për t'i promovuar pak para zgjedhjeve të prillit dhe ka shkelur as më shumë dhe as më pak, në zyrën e vetë kryeministrit, Edi Rama.

Aty është zhvilluar një bashkëbisedim groteskt, ku Rama si cicëron, shpjegonte dhe shfaqte për kamerën, lodrat që posedon dhe i mban në zyrën e kryeministrisë, ndërsa Fevziu, bënte pyetjet e rastit, pra tregonte interes të thellë për të gjitha objektet.

Kryeministri e shëtiti Fevziun, cep më cep, duke i shpjeguar fillimisht pezhishkat e mureve, penelët dhe borjat e shumta mbi tryezë, kravatat me ngjyra, për të cilat Fevziu pyeti gjerësisht, por edhe dhuratat e panumërta nëpër raftet e zyrës, të cilat të dy bashkë, pra kryeministri dhe gazetari, i treguan popullit.

Kryeministri i tregoi gazetarit të njohur edhe një numër të konsiderueshëm fanellash të futbollistëve, që nga Leo Mesi dhe deri tek Lorik Cana, që i'a kanë dhuruar me autograf.

-Ky është vendi ku unë zhgarravis -, tha Rama, duke bërë me shenjë nga tavolina.

-Nërsa, këto janë droga ime, - vijoi ai duke i treguar Fevziut penelët.

Kryeministri i shpjegoi gazetarit Fevzi edhe një studim që ka lexuar, që tregon se njerëzit që zhgarravisin kanë 50% më shumë vëmendje.

-Kjo ndodh kur unë jam tërësisht i fokusuar tek bashkëbiseduesi, por dora pikturon. Sipas një studimi, njerëzit që zhgarravisin, kanë ulje të stresit 30% dhe rritje të dëgjueshmërisë 50%, - i tha Rama Fevziut.

Kjo ishte pjesa e parë e qokës, si të thuash hyrja, ndërsa biseda vijoi me rrëfimin e kryeministrit për jetën që në vogëli dhe për marrëdhëniet me njerëz të ndryshëm që ka takuar në jetë.

Në këtë rrëfim, Edi Ramës i'u kujtuan shumë shprehje të thella, nga autorë të ndryshëm, të cilat i lidhi me ngjarjet e jetës së tij, duke i dhënë kështu një dimension tej mase intelektuale kësaj bisede.

Në fund, Rama i tregoi Fevziut një tufë me qelqurina, dhurata të ndryshme që i kanë ardhur dhe ai jo vetëm nuk i ka vjedhur dhe çuar në Surrel, por i ka vendosur nëpër rafte, që të pasurohet edhe shteti shqiptar.

/TPZ.al/