TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Veç Rrugës së Kombit dhe autostradës Tiranë-Durrës, qeveria duket se po planifikon dhe që akset e tjera nacionale t’ja jap privatit për mirëmbajtje apo rehabilitimi. Në mbledhjen e qeverisë, këtë të mërkurë janë bërë disa ndryshime, në fakt lehtësira për biznesin privat që të përfshihet në këto koncesione.
Pas kërkesës nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, qeveria ka vendosur që nëse propozimi i pakërkuar konsiderohet i pranueshëm, autoriteti kontraktor mund të nisë procedurën për dhënien e kontratës nëpërmjet një procesi transparent dhe konkurrues.
Në nenin 15, shpjegohet dhënia e bonusit për atë kompani që do të marrë një koncesion për mirëmbajtjen e rrugës.
“Në rast pranimi të një propozimi të pakërkuar, përpara procedurës konkurruese propozuesi ka të drejtë të përfitojë nga autoriteti kontraktor, i cili vendos për një nga format e mëposhtme të bonusit:
-Një bonus për rezultatin tekniko-financiar të propozuar prej tij, deri në një maksimum prej 10% (të 100 pikëve në total) të vlerësimit maksimal të garës, që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave;
– Aplikimin e procedurës me publikim të projektit të tij, me qëllim përfitimin e ofertës më të leverdisshme ekonomike, pa ndryshuar projektin teknik.”.
Aplikimi i procedurës me publikim të projektit
– Në rastin e aplikimit të procedurës sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 15, më lart, autoriteti kontraktor, pas vendimit për dhënien e kontratës, publikon projektin e propozuesit, me qëllim që të përfitojë ofertën më të leverdisshme ekonomike.
– Autoriteti kontraktor publikon projektin e propozuesit së bashku me ofertën financiare dhe fton operatorë të tjerë ekonomikë, nëpërmjet një procesi transparent dhe konkurrues të paraqesin propozimet e tyre sipas përcaktimeve në dokumentet e procedurës konkurruese.
– Oferta më e leverdisshme ekonomike do t’i paraqitet propozuesit me qëllim paraqitjen e një oferte më të leverdisshme ekonomikisht sesa oferta fituese.
– Nëse propozuesi pranon, atëherë ai shpallet fitues i garës dhe vijohet më tej për negociimin e kontratës.
– Nëse propozuesi nuk pranon të paraqesë një ofertë ekonomikisht më të leverdisshme, atëherë ofertuesi fitues do t’i paguajë atij vlerën e hartimit të projektit teknik, e cila do të publikohet në dokumentet e procedurës konkurruese.
– Nëse palët dështojnë në negociimin e kontratës, atëherë ofertuesit do t’i mbahet vlera e garancisë së ofertës dhe do të ftohet propozuesi për negociim sipas vlerës fillestare të propozimit të tij.”
ALARMI NGA FMN
Të martën Fondi Monetar Ndërkombëtar i bëri apel qeverisë të ketë kujdes me koncesionet. “Rritja e shpejtë e PPP-ve, i ka rritur risqet fiskale, çka kërkon përmirësime të tjera shtesë në kuadrin për investimet publike”. Projektet bazuar në formulën e PPP-ve janë kryesisht propozime të ardhura nga privatët. Por FMN-ja ka ritheksuar se “këshillojmë nxitjen e një procesi me oferta konkurruese duke mos pranuar më propozime të pakërkuara për PPP-të. Ndonëse shpenzimet e parashikuara për PPP-të mbeten poshtë tavanit ligjor prej 5 për qind të të ardhurave tatimore, kjo lë pak hapësirë për projekte të tjera PPP-sh me fonde shtetërore”.
PAGESA PËR AUTOSTRADËN TIRANË-DURRËS
Ofertuesi për koncesionin e autostradës është një grup i madh indian me disa koncesione autostradash në Azi, por që në Shqipëri është i përfaqësuar nga dy kompani lokale, Albstar, e cila po ndërton stadiumin Arena kombëtare si dhe kompania Trema Inxhiniering. Studimi i fizibilitetit, që edhe ky nuk është bërë publik nga qeveria, parashikon dy tarifa. Për automjetet e vogla do të paguhet 2 euro për çdo kalim, ndërsa për automjetet e mëdha tarifa do të jetë 5 euro. Projekti për dhënien me koncesion të rrugës Tiranë-Durrës parashikon që kompania private të zgjerojë me dy korsi të tjera rrugën kryesore si dhe do të sigurojë rrugë alternativë kalimi pa pagesë. Bëhet fjalë për rrugën e vjetër Tiranë-Ndroq-Plepa, e cila do të rikonstruktohet po nga kompania private.
RRUGA E KOMBIT
Nga 17 shtatori i vitit 2018, Rruga e Kombit është e para rrugë me pagesë kalimi në Shqipëri. Çdo mjet transporti tarifohet sipas kategorisë, motoçikletat kanë çmimin më të lirë, ndërsa kamionët e mëdhenj më të lartin. Autoveturat kanë një çmim prej 5 eurosh, i cili konvertohet në lekë në momentin e pagesës në sportel. Procedura është e njëjtë për çdo mjet.
FATURA E 5 KONCESIONEVE
Kontratat koncesionare për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 153.8 miliardë lekë ose mbi 1.2 miliardë euro duke përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, buxheti i shtetit do të paguajë 9.4 miliardë lekë për të gjithë jetëgjatësinë e kontratës. Këto para’ përfshijnë subvencionin e parashikuar për trafikun minimal, pagesat për defektet e fshehura si dhe ato për supervizionin e kontratës. Rruga Thumanë-Kashar, ndërtimi i segmentit me gjatësi 20.8 kilometra do të kushtojë 54.4 miliardë lekë duke përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ndërsa nëse zhvishet nga kjo taksë, e cila i rikthehet sërish shtetit, fatura neto që do të paguajnë qytetarët është rreth 45.3 miliardë lekë. Në listë vijnë me radhë Rruga e Arbrit me 40.3 miliardë lekë, Milot-Balldre me 36.5 miliardë lekë dhe Orikum-Dukat, që vlerësohet se do të ketë një kosto 11.8 miliardë lekë./GSH.al/