AKTUALITET, 2 Dhjetor 2017, 13:24

Qeveria shënon një tjetër "sukses", për 2 muaj mbyll 523 biznese

Qeveria shënon një tjetër "sukses", për 2 muaj

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar përfundimin e dy muajve të parë të aksionit anti-informalitet. Tatimet kanë bërë të ditur se janë verifikuar 22,027 subjekte ku 20.8% e tyre kanë rezultuar me shkelje dhe janë penalizuar.

Janë futur në skemën e sigurimeve gjatë shtatë javëve të para të aksionit 898 punonjës që janë konstatuar të padeklaruar dhe janë mbylluar 523 subjekte të paregjistruar në organet tatimore dhe për shkelje të tjera për moslëshim kuponi për herë të dytë. Tatimet nuk sqarojnë dhe e mbajnë të fshehur, nëse këto biznese janë mëdhenj apo të vegjël.

Ndërkohë tatimet shprehen se janë regjistruar 4467 subjekte të reja, por në fakt këto nuk janë biznese të reja por formalizimi i biznesve që nuk ishin regjistruar në QKB.

Ky mund të cilësohet si "suksesi" i radhës së qeverisë, ku përveç paketës fiskale që rrit barrën e tatim-paguesve, i ngushton edhe më tej lakun duke i mbyllur bizneset.

Më shumë se 1500 biznese kalojnë me TVSH

Për shtatë javët e para të fushatës është mundësuar përfundimi i 15,678 kontrolleve (kontrolleve nga zyra, vizita fiskale apo verifikime në terren).

Kontrollet nga zyra përbejnë 74% të totalit. 1548 subjekte kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore ku Tirana ka numrin më të madh me 774 subjekte, të ndjekur nga Durrësi 230 dhe Vlora me 116. Pra, këto biznese do të paguajnë edhe më shumë taksa në vijim.

Tatimet njoftuan edhe se Shërbimi i tatimpaguesit ka asistuar ballë për ballë 58,586 tatimpagues. 9,608 është numri i tatimpaguesve të kontaktuar për ligjin e faljeve.

/TPZ.AL/