BOTA, 29 Maj 2018, 09:42

Qeveria e re e Italisë/ Cottarelli në ‘luftë’ me kohën, ja emrat e mundshëm të kabinetit

Ish-ekonomisti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Carlo Cottarelli vijon punën për të hartuar listën me emrat e ministrave të kabinetit pas vendimit të Presidentit Sergio Mattarella dje, që i besoi detyrën e krijimit të qeverisë së re. Cottarelli ka shumë pak kohë në dispozicion për zgjedhjen e emrave në qeverinë e tij, gjithçka është cështje orësh, pasi nesër do ia paraqesë Presidentit.

Detyra kryesore e qeverisë së Carlo Cottarelli-t, nëse do të marrë votëbesimin është ligji për buxhetin dhe stabiliteti ekonomik, ndërsa do të drejtojë deri në zgjedhjet e reja të parakohshme, që duket se janë çështje muajsh nisur nga situata politike e krijuar.

Sipas mediave italiane, kabineti i Carlo Cottarelli do të jetë një ekip i strukturuar prej 10-12 ministrash me shumë kompetenca dhe neutralë, ndërsa janë përfolur shumë emra, mes tyre profesorë të njohur dhe ekonomistë.

Mes emrave që po lakohen në media për në kabinetin e Carlo Cottarelli-t janë; Për Ekonominë mund të jenë Salvatore Rossi, drejtori i përgjithshëm i Bankës së Italisë, Lucrezia Reichlin profesor i ekonomisë, i Brendshëm mund të jetë Giampiero Massolo. Favorite për Ministrinë e Jashtme është Elisabetta Belloni, alternativë është Pasquale Terracciano, ambasador në Moskë. Të Drejtësia emri më i kuotuar është Alessandro Pajno, ndërsa te Infrastruktura Raffaele Cantone.

Emrat e lakuar ne media per kabinetin qeveritar ne Itali