BOTA, 10 October 2026, 11:37

Putin i ofron Trumpit naftë për të frenuar krizën e karburantit, shpërthen Zelensky: Po financoni luftën e Rusisë!

Putin i ofron Trumpit naftë për të frenuar krizën e

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kritikuar ashpër marrëveshjen mes SHBA-së dhe Rusisë për lehtësimin e kufizimeve ndaj shitjes së naftës ruse, duke paralajmëruar se kjo do t’i siguronte Moskës të ardhura për të financuar luftën kundër Ukrainës.

“Lejimi i Rusisë të shesë produkte të naftës është një investim në luftë, e cila duhet të përfundojë, jo të zgjatet”, shkroi Zelensky dje në mbrëmje në platformën “Telegram”.

Kreu i shtetit ukrainas paralajmëroi gjithashtu se Moska mund t’u përgjigjet këtyre zhvillimeve me sulme të tjera dhe akte të rënda dhune.

Zelensky përsëriti se Ukraina është e gatshme të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, nëse Rusia pranon të ndalojë sulmet ndaj objekteve dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Rafineritë janë impiante industriale ku nafta e papërpunuar përpunohet dhe shndërrohet në karburante, si benzina dhe nafta (diesel).

“Ne po i propozojmë pikërisht një marrëveshje të tillë SHBA-së dhe besojmë se fuqia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e mjaftueshme për të arritur këtë kompromis”, shkroi presidenti ukrainas.

Ai e cilësoi çdo lehtësim të sanksioneve kundër Rusisë si një shenjë të dobësisë së dukshme. Sipas tij, një vendim i tillë do të bënte që Moska ta merrte edhe më pak seriozisht Uashingtonin.

Më herët, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin, sipas së cilës Rusia do të furnizojë tregjet amerikane dhe ato ndërkombëtare me qindra mijëra tonë naftë (diesel).

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, SHBA-ja do të pezullojë përkohësisht kufizimet për blerjen e produkteve të naftës nga Rusia deri në prill të vitit 2027.

Analistët e tregut të energjisë theksuan se sasitë e naftës të njoftuara nga Trump përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të kërkesës botërore për këtë karburant. Për këtë arsye, sipas tyre, marrëveshja nuk ka gjasa të sjellë një ulje të ndjeshme të çmimeve.

Ndërkohë, çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm në mbarë botën si pasojë e luftës së SHBA-së me Iranin.