AKTUALITET, 6 Shkurt 2019, 21:57

PSG eviton turpin në shtesë ndaj ekipit të kategorisë së tretë

PSG eviton turpin në shtesë ndaj ekipit të kategorisë

Ekipi i PSG ka vuajtur sot shumë për të siguruar kualifikimin e mëtejshëm në Kupën e Francës, pasi është dashur që të luajë shtesat për të kaluar një ekip të kategorisë së tretë. Askush nuk e priste që Vijfransh të shkaktonte probleme për gjigantët e futbollit francez, por situata doli paksa jashtë çdo parashikimi në këtë sfidë.

Edhe pse me emra si Di Maria, Çupo-Moting, Markinjos, Draksler e Diabi në fushë që nga minuta e parë, PSG e kishte shumë të vështirë të gjente rrugën e rrjetës. Tuhel aktivizoi edhe Mbape e Kavani, për të shtuar forcën sulmuese të skuadrës së tij por parisienët vuajtën shumë dhe nuk arritën të shënonin përballë skuadrës e cila në historinë e saj ka qenë vetëm një herë në kategorinë e dytë.

Gjithsesi, në shtesë PSG tregoi diferencën e dukshme në cilësi dhe shënoi tre herë me Draksler, Diabi e Kavani, me Mbape që dha dy asist, për të kaluar në turin tjetër të aktivitetit e për të evituar një turpërim të mëtejshëm nëse ndeshja do të shkonte me penallti.