TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Edhe në Itali, studentët kanë zbritur në rrugë në mbarë vendin, duke u përplasur me policinë dhe duke mbajtur me kokë poshtë posterat me fotografitë e politikanëve.
Me thirrjet 'Financoni shkollën dhe jo luftën' dhe 'Më pak armë dhe më shumë të drejta', të rinjtë kanë mbushur rrugët e qyteteve më të rëndësishme të vendit fqinj, si Roma, Torino, Xhenova, Venecia, Padova, Trevizo dhe Kaliari.
Në Torino, studentët marshuan duke protestuar kundër qeverisë, kryeministres Giorgia Meloni, ministrit të Arsimit dhe politikanëve ekstremistë.
Pas përplasjeve me agjentët e policisë, të cilët u sulmuan me gurë, një grup pedagogësh zbriti në shesh dhe krijoi një kordon mes studentëve dhe efektivëve, me qëllim ndarjen e dy palëve.
Në Romë, pas një demonstrate të zhvilluar përpara Ministrisë së Arsimit, gjatë së cilës u dëgjuan thirrje dhe u hodhën gurë, protesta u mbyll pa tensione të mëtejshme. Megjithatë, të rinjtë kanë caktuar një takim për të premten e ardhshme, kur do të zhvillojnë një asamble publike për të organizuar lëvizjen studentore.
Sipas njoftimeve të policisë italiane, në tubimin e zhvilluar sot në kryeqytetin italian morën pjesë rreth 5 mijë studentë.
Ndërkohë, gjatë marshimit në Milano, të rinjtë mbajtën me kokë poshtë fotografitë e kryeministres Meloni dhe ministrit të Jashtëm, Antonio Tajani. Në fotografi shiheshin edhe shenja duarsh me ngjyrë të kuqe, të cilat simbolizonin gjakun.
Studentët kundërshtuan gjithashtu reformën e planifikuar në arsim, e cila parashikon largimin nga shkollat të fëmijëve të emigrantëve. Gjatë protestës, ata brohoritën thirrjen 'Askush nuk është i huaj'.
Në shkallë kombëtare, sipas të dhënave të bëra publike, në protestat e zhvilluara në Itali morën pjesë rreth 400 mijë studentë.