BOTA, 2 September 2026, 22:45

Protesta masive në Spanjë/ Mijëra qytetarë kundër politikës së emigracionit, kërkojnë mbrojtjen e Ceutës

Dhjetëra mijëra persona protestuan sot në qytete të ndryshme të Spanjës, në mbështetje të statusit të Ceutës si pjesë e territorit spanjoll dhe kundër politikës së qeverisë së Madridit për emigracionin, në një kohë kur enklava po përballet me një krizë të vazhdueshme migracioni.

Protestuesit akuzuan qeverinë qendrore të kryeministrit Pedro Sanchez se po ndjek një politikë pajtuese ndaj Marokut dhe se nuk po i ofron Ceutës mbështetjen e nevojshme.

Maroku e ka kërkuar prej kohësh Ceutën, ashtu si edhe enklavën tjetër spanjolle në Afrikën e Veriut, Melilla-n. Megjithatë, aktualisht Rabati nuk po ushtron ndonjë presion të veçantë lidhur me këtë çështje.

Kreu i opozitës spanjolle, Alberto Nunez Feijoo, nga Partia Popullore konservatore, e cilësoi situatën si një “pushtim” nga emigrantët e mbështetur nga Maroku.

Feijoo akuzoi Sanchez dhe qeverinë e tij për mashtrim, duke thënë se autoritetet kishin pretenduar se nuk kishin marrë paralajmërime për krizën e migracionit dhe se Maroku nuk kishte nxitur ardhjen e emigrantëve.

Sipas Feijoo, të dyja këto pretendime ishin të pavërteta.

Në Ceuta, mijëra persona u mblodhën duke valëvitur flamujt spanjollë dhe duke kërkuar rikthimin e normalitetit, si dhe që enklava të vazhdojë të jetë pjesë e Spanjës.

Në pankartat e protestuesve shkruhej: “Ceuta nuk shitet, Ceuta nuk dorëzohet.”

Sipas të dhënave të qeverisë spanjolle, të paktën 72 mijë emigrantë hynë në Ceuta më 30 dhe 31 korrik.

Një muaj më vonë, rreth 5 mijë prej tyre ndodheshin ende në enklavë, ndërsa disa prej tyre po qëndronin në rrugë dhe plazhe.

Situata ka krijuar një barrë të rëndë për territorin, i cili ka rreth 83 mijë banorë.

Protestat kanë vijuar edhe më pas, ndërsa janë raportuar sulme të përsëritura të dhunshme ndaj emigrantëve dhe organizatave private që ofrojnë ndihmë.