BOTA, 1 September 2026, 22:53

SHBA-ja planifikon sanksione të reja ndaj bankave në kuadër të presionit ndaj Iranit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të vendosin së shpejti sanksione ndaj bankave, si pjesë e presionit të shtuar ekonomik ndaj Iranit.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha sot se masat e reja pritet të shpallen këtë javë, ndërsa masa të tjera do të pasojnë javën e ardhshme.

Duke folur në kuadër të një takimi ministror të G20-s në Asheville, në Karolinën e Veriut, Bessent tha se SHBA-ja po i diskuton planet me aleatët e saj.

Sipas tij, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe vende të tjera kanë shprehur mbështetje të fortë.

Bessent bëri të ditur gjithashtu se SHBA-ja do të përpiqet të zbulojë dhe gjurmojë asetet që i përkasin Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).

Ai përmendi në mënyrë të veçantë llogaritë bankare në Ishujt e Virgjër Britanikë.

Javën e kaluar, sekretari amerikan i Thesarit njoftoi se SHBA-ja synon ta izolojë më tej Iranin ekonomikisht, përmes sanksioneve të reja, me qëllim ushtrimin e presionit të fortë ndaj udhëheqjes në Teheran.

Megjithatë, ai nuk dha detaje të plota mbi të gjitha masat e planifikuara.

Departamenti amerikan i Thesarit bëri të ditur se mund të vendosen të ashtuquajtura sanksione dytësore ndaj vendeve dhe organizatave që operojnë në pesë sektorë ekonomikë: asetet digjitale, teknologjia, ari, aviacioni dhe transporti detar.

OKB-ja, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur prej vitesh sanksione të gjera ndaj Iranit.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse presioni i ri i paralajmëruar nga SHBA-ja, do ta afrojë Uashingtonin me objektivat e tij në konfliktin e bllokuar me Iranin.

Bessent tha se marrëveshja kuadër e arritur me Teheranin në qershor nuk funksionoi, sepse Irani nuk ishte i gatshëm të arrinte një marrëveshje.

Detyra e tij, shtoi ai, është të krijojë kushtet që Irani të arrijë një marrëveshje.