BOTA, 2 September 2026, 20:54

Anija fundoset, 10 të zhdukur/ Përplasje në Detin Marmara, vijojnë kërkimet për ekuipazhin e “Tugberk İmamoglu”

Një anije mallrash është fundosur pas përplasjes me një tjetër mjet lundrues në Detin Marmara, pranë Stambollit, ndërsa dhjetë anëtarët e ekuipazhit rezultojnë të zhdukur.

Aksidenti ndodhi rreth orës 03:00, afro 32 kilometra në jug të Silivrit, një periferi e Stambollit. Anija “Tugberk İmamoglu” u përplas me mjetin me flamur turk “Alsu”, i cili, sipas autoriteteve, nuk pësoi dëmtime të dukshme.

Pas përplasjes, humbi çdo kontakt me ekuipazhin e anijes së mallrave. Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë gjetur një varkë shpëtimi dhe mbetje të tjera të “Tugberk İmamoglu”, por deri tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e personave që ndodheshin në bord.

Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve Detare deklaroi se anija konsiderohet e fundosur, pasi nuk iu përgjigj thirrjeve, ndërsa telefonat e anëtarëve të ekuipazhit rezultuan të fikur ose pa përgjigje.

Ministri turk i Transportit, Abdulkadir Uraloğlu, bëri të ditur se në bord ndodheshin dhjetë marinarë, përfshirë kapitenin, të gjithë shtetas turq.

Anija, e gjatë 90 metra, po lundronte nga porti mesdhetar i Iskenderunit drejt Ereğlit, në Detin e Zi.

Ndërkohë, “Alsu”, me gjatësi 91 metra, po udhëtonte nga Kocaeli drejt Aliağas, në bregdetin e Egjeut.

Operacionet e kërkim-shpëtimit për gjetjen e dhjetë anëtarëve të ekuipazhit vijojnë në Detin Marmara.