TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një avion luftarak ukrainas MiG-29 ka rrëzuar një raketë ruse lundruese S8000 Banderol në një lartësi shumë të ulët, duke përdorur për interceptimin një raketë ajër-ajër R-60, një armë sovjetike e konsideruar e vjetruar.
Misioni është kryer nga një pilot me një avion MiG-29MU1 të modernizuar. Sipas kanalit Telegram “Sonyashnyk”, piloti kishte vetëm disa sekonda për të vendosur nëse do të tërhiqej apo do të përpiqej ta shkatërronte raketën, me qëllim mbrojtjen e zonës.
Raketa R-60 u fut në përdorim në vitin 1973 dhe përdor një kokë infra të kuqe për të gjurmuar objektivat. Para nisjes së luftës, Ukraina e konsideronte atë kryesisht të vjetruar, pasi kishte në dispozicion raketa më moderne, si R-73.
Megjithatë, lufta ka konsumuar rezervat e raketave ukrainase, ndërsa avionët po përdoren gjithnjë e më shumë për të interceptuar raketa lundruese dhe dronë Shahed e Geran-2. Për këtë arsye, Ukraina po rikthen në përdorim edhe armë të vjetra.
Në vitet e fundit, R-60 është modernizuar përmes zëvendësimit të komponentëve analogë me sisteme digjitale dhe përmirësimit të ndjeshëm të sensorit infra të kuq. Gjithashtu, është punuar për përshtatjen e saj për përdorim nga sistemet tokësore.
Objektivi i interceptimit, raketa S8000 Banderol, po përdoret gjithnjë e më shumë nga Rusia në sulmet ndaj Ukrainës.
Raketa mund të arrijë një shpejtësi prej rreth 620–650 km/orë dhe, në versionin e lëshuar nga ajri, ka një rreze veprimi deri në 500 kilometra. Ajo mbart një kokë luftarake me rreth 50 kilogramë eksploziv.