AKTUALITET, 3 Prill 2018, 08:49

Protesta e Rrugës së Kombit, të ndaluarit sot para gjykatës

Protesta e Rrugës së Kombit, të ndaluarit sot para gjykatës

Protestuesit e arrestuar  pas protestës në Rrugën e Kombit pritet të dalin sot para gjykatës. Gjatë ditës së hënë grupi i prokurorëve që po hetojnë ngjarjen kanë mbërritur në Tiranë ku  kanë marrë në pyetje të ndaluarit. Policia ka referuar në prokurori edhe procedimin për aktivistët e shoqërisë civile që protestuan para Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

23 protestuesit e arrestuar mbrëmjen e së dielës menjëherë pas protestës për taksën e Rrugës së Kombit, do të dalin sot përpara Gjykatës së Kukësit për t’u njohur me masën e sigurisë.

Gjatë ditës së hënë  grupi i hetimit dy prokurorë dhe tre oficerë të policisë gjyqësore të Kukësit, që po merren me zbardhjen e ngjarjes  kanë mbërritur në Tiranë, ku kanë marrë në pyetje protestuesit në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe komisariate.

Të arrestuarit akuzohen nga prokuroria për akuzat e shkatërrimit të pronës, shkatërrimit të pronës më zjarr, kundërshtim të punonjësit të rendit publik. Gjykata do vlerësojë të ligjshëm ose jo urdhërarrestet e prokurorisë për arrestimin e tyre.