AKTUALITET, 18 Shtator 2018, 23:17

Propaganda e frikshme e Peleshit; 100 milionë lekë për aktivitetin e promovimit të bujqësisë

Rreth gjysma e shqiptarëve e mbajnë frymën gjallë nga bujqësia. Në vendet fqinje, bujqit i kanë sytë nga qeveritë, të cilat u lehtësojnë shumëçka, nga nafta, farërat, pesticidet, e deri te shitja. Madje, edhe kompensimi nëse prodhimi dëmtohet nga natyra.

Por, në Shqipëri, bujqit i kanë sytë nga qielli. Edhe subvencionet, ato që jep BE-ja, nuk kanë shkuar te fermerët, por te disa individë të lidhur ngushtë me Rilindjen.

Marrim një shembull; qeveria akordon 100 lekë për subvencione. Vë disa kushte dhe u kërkon bujqëve të pajisen me NIPT, të kenë shumë dynymë tokë, serat t’i kenë mbi 2 metra të larta (99 % i kanë serat deri në 1.9 metra) etj, etj. Në fund, vetëm 5 lekë shpërndahen dhe pjesa tjetër, askush nuk e di se ku shkon.

Por, ironia në këtë situatë është se qeveria vazhdon të bëjë propagandë me “fatkeqësitë” e këtyre fermerëve. Së fundmi, ministria e Bujqësisë ka akorduar plot 100 milionë lekë të vjetra për organizimin e një propaganda të frikshme, për të promovuar këtë sektor, i cili është në grahmat e fundit. Tpz.al ka siguruar dokumentet e një tenderi që po bën ministri Niko Peleshi me objekt “Organizimin e aktivitetit për promovimin e sektorit bujqësor, viti 2018”.

Sipas ministrisë, ky aktivitet do të jetë një mundësi e prezantimit të bujqësisë shqiptare, politikave dhe objektivave të qeverisë, mbështetjes për këtë sektor; të produkteve të prodhuara në vend; njohjen e konsumatorit me cilësinë dhe sigurinë e prodhimit vendas; bashkëpunimin mes gjithë aktorëve që operojnë në fushën e bujqësisë, nën nismën: “Shqipëria punon tokën – Konsumo Shqip”. Mësohet se aktiviteti do të zhvillohet në datat 12-13 tetor 2018 në Tiranë.

Ministria beson se do të informojë aktorët e interesuar (prodhues, tregtarë, shoqata biznesi, konsumatorë, institucione financiare, donatorë, etj) për rolin që ka Bujqësia Shqiptare në ekonominë e vendit. Gjithashtu do i njohë me produktet vendase dhe shtrirja e përdorimit masiv të tyre në restorantet dhe tryezat tona; njohja dhe prekja nga afër e asaj që ofron bujqësia; të rinjtë sipërmarrës në bujqësi që jetesën e tyre e lidhin me tokën, me bujqësinë, me ushqimin, me prodhimin, me natyrën; promovimi i agroturizmit; i inkubatorit të biznesit, etj.

Ministria thotë se me 100 milionë lekë të vjetra (përfshirë TVSH-në) synon që të kontraktojë një firmë private që t’i krijojë hapësirat dhe strukturat e nevojshme, për kryerjen e aktivitetit. Kërkon çadra dhe stenda, prezantimi i produkteve/prodhuesve/shoqatave sipas sektorëve përkatës si dhe sigurimi i sinjalistikës të të gjithë ambientit bashkë me hartën në stenda vetëqëndruese. Megjithatë, në fund, gjithsecili, qoftë fermer apo jo ngre një pyetje; përse këto para’ nuk jepen direk për bujqësinë? Por, për qeverinë, më e rëndësishme janë disa kronika televizive me pamje të bukura, 3 apo 4D, ku disa bujq të përzgjedhur të Rilindjes do të dalin me fytyrë të qeshur. Po me 99.9 % të bujqëve të tjerë, çfarë do të bëhet? /TPZ.AL/