AKTUALITET, 28 Maj 2021, 09:57

Prokuroria e Elbasanit dërgon për gjykim Sokol Sanxhaktarin, dhëndri i ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini

Prokuroria e Elbasanit dërgon për gjykim Sokol Sanxhaktarin,


Prokuroria e Elbasanit ka dërguar për gjykim Sokol Sanxhaktarin, i cili është edhe dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini.

Sanxhaktari aktualisht është i arrestuar për vrasjen e 30-vjeçarit Florjan Lamçes.

POR KUSH ËSHTË SOKOL SANXHAKTARI?

Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini, është një personazh i njohur për drejtësinë.

Sanxhaktari është akuzuar se ka kryer një sërë veprash penale, por me sa duket, gjithmonë i ka shpëtuar drejtësisë. Ndërkohë Sanxhaktari njihet edhe si miku i afërt i Sokol Çelës, ky i fundit i akuzuar si i përfshirë në ngjarjen që ndodhi mesnatën e 18 shtatorit kur një automjet i blinduar tip “Audi A8” goditi makinën e patrullës së Policisë, brenda të cilit ishte ish-zv.drejtori i Policisë, Gjergji Oshafi.

Po ashtu, mbetur vetëm në “thashethemet” mediatike dhe akuzat politike të opozitës shqiptare, dhëndri i Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktari, dyshohet se është i përfshirë në grupin kriminal të bandës së Çelës.

Ai është arrestuar disa herë, por gjithnjë ia ka dalë të rifitojë lirinë, duke i shpëtuar drejtësisë me dënime qesharake. Zakonisht ndodhte që viktimat të tërhiqeshin nga akuzat që ngrinin ndaj Sanxhaktarit, ose prokurori detyrohej të largohej nga çështja e hetimit, ose Policia shpallej nga gjykata në tejkalim kompetencash sepse kishte shoqëruar dhëndrin e kryetarit të Bashkisë.

Në janar të vitit 2016 Sokol Sanxhaktari i shkruan drejtuesit të prokurorisë Elbasan, Besnik Cani, që të zëvendësojë prokuroren e çështjes Erinda Lamkën. Në letrën e shkruar, 34-vjeçari aludonte se akuzat i ishin ngritur për shkak të lidhjes që ai kishte me ish-kryetarin e Bashkisë së Elbasanit.

Sanxhaktari vijonte duke thënë se prokurorja e çështjes po kryente hetime tendencioze dhe keqdashëse ndaj tij, pasi Qazim Sejdini nuk kishte pranuar t’i punësonte bashkëshortin. Ngjarja për të cilën prokuroria ngriti akuza penale ndaj Sanxhaktarit kishte ndodhur mbrëmjen e 20 dhjetorit 2015. Salla operative e Policisë në Elbasan atë kohë është njoftuar se një person ndodhej i armatosur në ambientet e një lokali “Lloto-Sporti”, ne lagjen “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Elbasanit.

Në vendngjarje, përveç patrullës, mbërrijnë edhe drejtues më të lartë të policisë së qarkut, të cilët personin e armatosur e identifikojnë si Sokol Sanxhaktarin./Panorama