TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Dritan Abazoviç, është një 34 vjeçar i lindur në një familje shqiptare në Ulqin. Ai është drejtues i partisë politike URA dhe sot mban rolin e "king-makerit" në Malin e Zi, pas zgjedhjeve të 30 gushtit, që prodhuan një rezultat befasues.
Abazoviç është politikani që ka vendosur t'i japë fund pushtetit 30 vjeçar të Milo Gjukanoviçit në vendin fqinj. Ai ka vendosur të bashkojë votat me koalicionin opozitar nacionalist, pro serb dhe pro rus.
Abazoviç fillimisht ishte një ndër themeluesit e partisë "Mali i Zi Pozitiv" dhe në zgjedhjet e vitit 2012 u zgjodh deputet në parlamentin e Malit të zi. Por, nuk kaloi shumë dhe Abazoviç u largua nga partia, duke u konvertuar në një deputet të pavarur dhe duke u bashkuar më pas me partinë URA (Aksioni i Reformës së Bashkuar).
Mirëpo, Abazaviç ka shkaktuar polemika sa i përket komunitetit shqiptar në Mal të Zi dhe më gjerë. Në një intervistë televizve ai deklaronte se heroi ynë kombëtar, Skënderbeu, ka origjinë sllave.
"Nëse lexohet historia në mënyrë të drejtë, duhet të dini se nëna e Skënderbeut ishte sllave, serbe, po ashtu edhe babai", shprehet Abazoviç.
Por, më pas Abazoviç ka kërkuar falje për këtë deklaratë, duke u shprehur se ajo është keqkuptuar dhe se ai po pëqeshte moderatorin e emisionit. Në deklaratën ku kërkonte ndjesë, Abazoviç deklaronte se babai i Skënderbeut ishte shqiptar.
"Të gjithë atyre që nuk e kuptuan humorin tim, JU KËRKOJ FALJE. Fare është e qartë se babai i Skënderbeut ishte shqiptar dhe se ai është prindi i djalit më të ngrritur në historinë e popullit shqiptar!", shkruante ai.
Abazoviç nuk e fsheh aspak faktin se ka origjinë shqiptare, madje deklaron se partitë shqiptare në Malin e Zi e kanë sūlmuar atë. Në një intervistë për ABC News në Shqipëri, ai deklaroi se këto parti nuk duan të pranojnë se një shqiptar mund të përfaqësoj Malin e Zi në një nivel më të lartë.
"Më ka takuar si shqiptar që pas 30 vitesh të mbaj çelësin. Kam pasur shumë sulme, edhe prej partive nacionale shqiptare. Që nuk duan të pranojnë që një shqiptar mund të përfaqësojë Malin e Zi në një nivel më të lartë. Çelësi i qeverisë është që të krijohet qeveria e ekspertëve, nuk ka për të pasur ndryshime të politikave të jashtme. Nuk ka nevojë për të pasur frikë”, -u shpreh ai.
Për shqiptarët, Abazoviç mund të konsiderohet një figurë politike kontroverse. Për Malin e Zi, ai është sot një "king-maker", përcaktues për pushtetin politik, por ndoshta, përcaktues edhe për fatin e njeriut që e ka dominuar për thuajse "një jetë" Malin e Zi, Milo Gjukanoviç.
/TPZ.al/