AKTUALITET, 7 Gusht 2018, 10:47

Problemet me pasurinë, dyshimet pse u ankimua vendimi për Xhezair Zaganjorin

Problemet me pasurinë, dyshimet pse u ankimua vendimi për Xhezair

Kërkesa për ta ankimuar konfirmimin në detyrë të Xhezair Zaganjorit nga ekspertët e huaj të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit nuk erdhi e arsyetuar. Por sipas ligjit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka afat 30 ditë, për t’ia njoftuar me shkrim Komisionerëve Publikë, të cilët nga ana e tyre kanë 15 ditë kohë, për të vendosur nëse do të bëjnë ose jo ankimim.

Nuk dihet ende arsyeja për të cilën ONM-ja ka sugjeruar ankimimin e vendimit, por gjatë një hetimi të thelluar Komisioni i Pavarur gjeti një seri problemesh në pasurinë e Zaganjorit.

“Sipas relacionit të bërë publik, kryetari i Gjykatës së Lartë rezultonte të kishte bërë deklarata të pasakta, të pamjaftueshme dhe fiktive si dhe kishte mungesë të burimeve financiare, lidhur me një apartament në qendër të Tiranës, një mjedis për zyrë, një bodrum dhe një dyqan. Të gjitha në një godinë të vetme, që sipas zotit Zaganjori nuk ishin blerë, por ishin ndërtuar në një truall të trashëguar nga familja e bashkëshortes. Ndaj tij megjithatë, Komisioni ngriti pretendimin se nuk kishte paguar detyrimet ndaj shtetit për qeratë e perfituara, apo dhe se kishte mospërputhje për shpenzimet e shkollimit të fëmijëve, të deklaruara më të ulta se sa kishin rezultuar nga verifikimet e bëra nga vetë Komisioni.

Zoti Zaganjori, i cili përvec të ardhurave nga pagat mujore dhe qeratë, ka deklaruar dhe përfitime të larta financiare nga puna pranë një instituti në Gjermani, deklaroi se i kishte ofruar komisionit afër 40 faqe me shpjegime dhe dokumenta, për të gjitha pikëpyetjet e ngritura gjatë procesit, në fund të të cilit ai u konfirmua nga KPK” shkruan Zëri i Amerikës, që paralelizon rastin e Bashkim Dedjas, kreut të Gjykatës Kushtetuese me atë të Zaganjorit.