TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka qenë i ftuar në emisionin "Tempora" të Sonila Meços, ku ka komentuar votimin e djeshëm të njëanshëm të Kodit Zgjedhor dhe prishjen e marrëveshjes mes palëve, nga ana e Edi Ramës.
Meta tha se prishja e rregullave të lojës, është një ftesë për në diktaturë, ndërsa ironizoi edhe deklaratat e ndërkombëtarëve, që nuk e thonë troç se Rama prishi marrëveshjen, por dredhojnë.
"Ose je shtatëzënë, ose nuk je, nuk mund të jesh pak shtatëzënë, e thonë edhe në anglisht këtë shprehje. Ata që bëjnë sikur nuk e shohin këtë, kanë hallin e tyre. Mos më thuaj më për ndërkombëtarët, lidhur me çështjet e integrimit, gjithmonë ka dalë çfarë ka thënë presidenti i Republikës. Shiko raportin e Freedom House, shiko raportin e Bankës Botërore për "Doing Business", ku është Shqipëria dhe ku është Maqedonia? Përse ky përkeqësim? Pyet investitorët. Këtu biznesmeët, janë bërë nënkontraktor, të nënkotraktorëve, të nënkontraktorëve. Ka një asfiksim të sipërmarrjes dhe kjo është e qëllimshme", tha Meta.
Duke komentuar prishjen e marrëveshjes në Kuvend, Meta tha se nuk ka ndodhur kurrë më parë në Shqipëri, që rregullat e lojës të vendosen vetëm nga njëra palë.
"Ky akt i shëmtuar që ka ndodhur dje, zyrtarizimi i shkeljes së një marrëveshje, është shumë e qartë që akti i djeshëm synon të hedhë në erë pluralizmin politik, demokracinë, është vendosje e murit të zi kriminal në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
Marrëveshja është shkelur për cdo njeri që i ka sytë në ballë. Nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri, që rregullat e lojës të vendosen vetëm nga një palë. Në demokraci, vendoset me konsensus. Edhe në Shqipëri, kështu ka ndodhur edhe pse ndonjë palë mund të ketë patur votat. Në këtë drejtim, ti mendon se je shumicë dhe do të bësh rregullat e lojës që të mbetesh gjithmonë shumicë.
Kjo është një ftesë për në diktatura, për t'u kthyer në kohën e mbrapsht kur varej Havzi Nela për fjalën e lirë.
Për mua si president, kjo është një përpjekje e qëllimshme, për ta nxjerrë Shqipërinë përfundimisht nga shinat e rrugës europiane, për ta futur në një humnerë, për të cilën ka përpjekje prej kohësh.
Shqipëria është kryetare e rradhës e OSBE-së dhe kryetari i OSBE-së, pengon të japë ekspertizën ODHIR. Shqipëria duhet të ishte shembull për zgjedhjet dhe demokracinë, si kryetar i OSBE-së", tha Meta.
/TPZ.al/