AKTUALITET, 25 Shtator 2019, 19:32

“Presidenti veprim antikushtetues”, Zëdhënësi i Metës i përgjigjet Ballës: Ndoshta je lodhur duke lobuar por…

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi ka reaguar me një status pas deklaratave të kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, i cili në një intervistë për Deutsche Welle tha se është ‘i bindur, që veprimi i Presidentit të Republikës në rastin e çdekretimit të datës së zgjedhjeve ka qenë një veprim antikushtetues’. Sipas Ballës, edhe vetë Presidenti i Republikës e di këtë gjë.

Por Blushi i kujton se zëdhënësi zyrtar është ai dhe se si Bundestag ashtu dhe OSBE/ODIHR e dinë se Presidenti nuk ka shkelur Kushtetutën.

POSTIMI

E falënderoj zotin Taulant që ka vendosur të luajë edhe rolin e Zëdhënësit të Presidentit, por e sqaroj se Zëdhënësi zyrtar jam unë!

Të jetë i qetë dhe i sigurt, se jo vetëm Bundestagu apo OSBE/ODIHR, por e gjithë bota e di që Presidenti Meta nuk ka shkelur Kushtetutën.

Presidenti Meta, jo vetëm ka respektuar Kushtetutën, por edhe:

– Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut;

-Vendimin e Gjykatës së Strasburgut që përcakton se e drejta e zgjedhjes nuk është procedurale, por substanciale për të garantuar rendin demokratik;

– Detyrimet e Shqipërisë ndaj Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit për garantimin e lirive dhe pluralizmit politik;

– Kriteret e Kopenhagenit, që janë në themel të BE.

Për këto ka folur qartë dhe Raporti Final i OSBE/ODIHR për zgjedhjet antikushtetuese dhe të paligjshme të 30 qershorit!

Ia kujtoj zotit Taulant të gjitha këto meqë sot ka qenë shumë i hutuar kur ka folur në emër të Presidentit.

Ndoshta është lodhur duke lobuar në Berlin për vendosjen e kritereve historike për çeljen e negociatave!