TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo po u bën thirrje vendeve të Amerikës së Jugut të mos i pranojnë ofertat për investime dhe ndihma nga vende konkurrente të Amerikës si Kina dhe Rusia. Zoti Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara mbeten një mik dhe partner ekonomik më i mirë për Amerikën e Jugut.
Në komentet dje në Santiago të Kilit, shefi i diplomacisë amerikane tha se Shtetet e Bashkuara besojnë që Amerika e Jugut ka përpara një moment mundësish për të “çimentuar një të ardhme në demokraci, begati dhe paqe për hemisferën. Është në dorën tuaj ta shfrytëzoni ose ta keqpërdorni këtë mundësi,” deklaroi Pompeo.
Sekretari i Shtetit paralajmëroi se Kina dhe Rusia, të cilat kanë bërë investime të fuqishme në Amerikën e Jugut, sjellin korrupsion dhe dobësim ekonomik. Ai solli si shembull projektin e dështuar për ndërtimin e një dige në Ekuador, të financuar nga Kina.
“Diga pritej të zgjidhte problemet energjetike të Ekuadorit dhe ta nxirrte këtë vend nga varfëria, por deri tani diga funksionon me gjysmën e kapacitetit. Po ashtu thuajse të gjithë zyrtarët e lartë të përfshirë në këtë projekt janë në burg ose janë ndëshkuar për korrupsion,” u shpreh Pompeo.
Sekretari amerikan i Shtetit akuzoi Rusinë se nxit trazira në Venezuelë duke mbështetur regjimin e Presidentit Nicolas Maduro dhe duke dërguar ushtarë për të krijuar një qendër stërvitore. Ai shtoi se Rusia i ka shitur armë Nikaraguas dhe ka hapur atje një qendër për stërvitjen e policëve. Rezultatet në këtë vend të Amerikës Qendrore, nuk kanë qenë aspak të mira, tha Pompeo.
Shtetet e Bashkuara, tha ai, nxisin tregtinë e lire dhe ndihmojnë bashkëpunimin rajonal si dhe kanë mbështetur udhëheqësin e opozitës venezueliane që po përpiqet për të kthyer normalitetin në vend. /VOA