TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Policia e Tiranës u ka dërguar më 22 tetor një shkresë zyrtare të gjitha komisariateve në kryeqytet, me udhëzime të posaçme për menaxhimin e protestave, duke vënë theksin te respektimi i të drejtave të qytetarëve dhe trajtimi i të miturve të përfshirë në tubime.
Shkresa, e cilësuar “Tepër urgjent”, përcakton disa rregulla që duhet të zbatohen nga efektivët e policisë gjatë ushtrimit të detyrës. Ndër kërkesat kryesore është që çdo punonjës policie të jetë lehtësisht i identifikueshëm, përmes numrit të dukshëm të identifikimit, ndërsa automjetet policore duhet të kenë logon përkatëse.
Një tjetër pikë e rëndësishme e udhëzimit lidhet me kontrollin e telefonave celularë. Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës kërkon që efektivët të mos kryejnë kontrolle të pajisjeve telefonike pa urdhër gjyqësor dhe të mos u kërkojnë personave të shoqëruar apo të arrestuar fjalëkalimet e celularëve.
Masa të posaçme për të miturit
Një pjesë e veçantë e shkresës i kushtohet trajtimit të të miturve që mund të përfshihen në protesta dhe që shoqërohen nga policia.
Në udhëzim kërkohet që ambientet ku kryhet shoqërimi dhe intervistimi i të miturve të jenë të pajisura me kamera, ndërsa pamjet filmike të ruhen.
Gjithashtu, për çdo të mitur duhet të garantohet prania e prindit ose kujdestarit dhe e psikologut. Para se të nisë marrja në pyetje, të miturit duhet t'i vihet në dispozicion formulari i të drejtave në versionin e përshtatur për moshën e tyre, ndërsa duhet të mbahet edhe një regjistër i veçantë për rastet që përfshijnë të mitur.
“Të sigurohet në çdo rast prezenca e prindit ose kujdestarit dhe psikologut për çdo të mitur, formular i të drejtave në versionin për të mitur, para çdo pyetje, regjistër i veçantë për të miturit”, thuhet në shkresën e Policisë së Tiranës, të firmosur nga zv/drejtori për Sigurinë Publike, Edmond Meshini.
Udhëzime edhe për përdorimin e forcës dhe gazit lotsjellës
Në të njëjtën shkresë, efektivëve u kërkohet të njihen me aktet ligjore që rregullojnë përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës gjatë menaxhimit të protestave.
Udhëzimi synon të përcaktojë rregulla të qarta për veprimet policore gjatë tubimeve, me vëmendje të veçantë ndaj identifikimit të efektivëve, respektimit të të drejtave të personave të shoqëruar dhe garancive procedurale për të miturit.
Dokumenti është shpërndarë në të gjitha komisariatet e kryeqytetit dhe është shënuar “Tepër urgjent”.