AKTUALITET, 21 August 2026, 14:46

Poliçani kundër bashkimit me Beratin/ 15 këshilltarët paralajmërojnë dorëheqjen, Zotkaj: Turp për Parlamentin nëse voton pro

Bashkia Poliçan ka zhvilluar sot një mbledhje emergjente të Këshillit Bashkiak. Qëllimi i kësaj mbledhjeje ka qenë miratimi me votat e këshillit i mosshkrirjes së Bashkisë Poliçan. Fillimisht, në mbledhjen e drejtuar nga kryetarja e Këshillit Bashkiak Poliçan, Mimoza Lulaj, ka qenë kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, ai që, pasi ka argumentuar se asnjë nga pikat e propozuara në relacionin e qeverisë për shkrirjen e Bashkisë Poliçan nuk qëndron, ka deklaruar se: “Do të jetë një turp për Parlamentin nëse voton pro shkrirjes së kësaj bashkie”.

Zotkaj ka theksuar në fjalën e tij se ndarja dhe bashkimi i një bashkie bëhet vetëm me pëlqimin e komunitetit dhe komuniteti është kundër. Ai ka theksuar se Bashkia Poliçan duhet të jetë bashki, pasi aktualisht ka 318 biznese që lulëzojnë çdo ditë e më tepër, ka turizëm malor dhe industrial, ka implementuar projekte për rininë, moshën e tretë etj., dhe për miratimin për shkrirjen e saj janë përdorur dy standarde.

Më pas, këshilltarët u njohën me raportin e Komisionit të ngritur nga Këshilli Bashkiak për kryerjen e dëgjesave publike me qytetarët, ku shprehej indinjata e tyre e thellë për këtë propozim të qeverisë, që e cilësojnë absurd dhe të padrejtë. Pasi përfunduan edhe diskutimet e këshilltarëve bashkiakë, të 15 këshilltarët konfirmuan “dorëheqjen” e tyre, në rast se votohet në Parlament shkrirja e Bashkisë Poliçan.

Në përfundim të mbledhjes, u kalua në votim dhe, me votat e 15 anëtarëve të Këshillit Bashkiak, u votua “Kundër” projektligjit për Ndarjen Administrative Territoriale, që propozon shkrirjen e Bashkisë Poliçan dhe bashkimin me Beratin.