AKTUALITET, 21 August 2026, 14:06

Nuk u kthye nga leja, arratiset i dënuari nga burgu i Reçit

Një i dënuar që vuante dënimin në burgun e Reçit është larguar me leje, por nuk është kthyer në institucion pas përfundimit të saj.

Sipas të dhënave, bëhet fjalë për Petrit Ndocin, i cili duhej të rikthehej në burg rreth orës 12:30, por nuk është paraqitur.

Ndoci është i dënuar për veprat penale të vjedhjes me dhunë dhe armëmbajtjes. Pas konstatimit të mungesës së tij, strukturat përgjegjëse kanë nisur kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e të dënuarit.

Në lidhje me rastin janë kryer edhe verifikimet përkatëse, ndërsa mësohet se vëllai i të dënuarit ka deklaruar se ai kishte lënë një letër përpara largimit.

Autoritetet po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe gjetjen e të dënuarit.