AKTUALITET, 21 August 2026, 14:22

Zjarri përfshin një hektar pyll në Dërshtil të Gjinarit/ Flakët rrezikojnë banesën e të moshuarës dhe një biznes

Një vatër zjarri ka përfshirë rreth një hektar sipërfaqe pyjore në fshatin Derstil, në Qendrën Administrative Gjinar, në Elbasan, duke krijuar rrezik për banesat dhe bizneset pranë zonës. Flakët dyshohet se kanë nisur pranë një grumbulli mbetjesh dhe, të favorizuara nga kushtet e terrenit dhe përhapja e shpejtë e zjarrit, janë shtrirë në një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi.

Situata është bërë veçanërisht shqetësuese pasi zjarri është afruar me një banesë, ku në ato momente ndodhej një e moshuar. Flakët kanë rrezikuar gjithashtu edhe një biznes që ndodhet pranë zonës së përfshirë nga zjarri. Përballë përhapjes së flakëve, banorët e zonës kanë ndërhyrë fillimisht për të frenuar zjarrin dhe për të mbrojtur pronat pranë vatrës. Më pas, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë vijuar ndërhyrjen për izolimin e zjarrit.

Aktualisht, situata raportohet nën kontroll, ndërsa forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen përfundimtare të flakëve dhe për eliminimin e çdo mundësie që zjarri të riaktivizohet apo të përhapet në sipërfaqe të tjera. Ndërhyrja në kohë ka qenë e rëndësishme për të shmangur përhapjen e flakëve drejt banesave dhe biznesit pranë zonës së zjarrit.

Ndërkohë, mbetet e paqartë origjina e vatrës. Shkaqet e rënies së zjarrit pritet të përcaktohen pas verifikimeve dhe hetimeve që do të kryhen nga autoritetet përkatëse.