AKTUALITET, 7 Dhjetor 2019, 12:27

“Po fshihet e vërteta për vdekjen e 24 njerëzve”, Bardhi: Erion Braçe dhe Artur Bushi bënë deklarata të ndryshme për pallatin në Thumanë

“Po fshihet e vërteta për vdekjen e 24 njerëzve”,


Sekretari Ligjor në Partinë Demokratike Gazment Bardhi shkruan në Facebook se Edi Rama me anë të propagandës po përpiqet që të mbulojë viktimat e tërmetit të 26 nëntorit.

Bardhi deklaron se tragjedia e Thumanës ishte e paralajmëruar, ndërkohë që thekson se dy ditë pas tërmetit Erion Braçe dhe Artur Bushi japin dy përgjigje të ndryshme, nëse pallatet ishin shpallur apo jo të banueshme pas 21 Shtatorit.

“Ka një përpjekje kriminale të Qeverisë për të lënë në harresë viktimat e 26 nëntorit dhe për t’i mbuluar ato me spektakël të pashpirt propagandistik. Ka një përpjekje të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij për të fshehur të vërtetën se tragjedia e Thumanës ka qenë e paralajmëruar!

2 ditë pas tërmetit, Erion Braçe dhe Artur Bushi japin 2 përgjigje të ndryshme, nëse pallatet ishin shpallur apo jo të banueshme pas 21 Shtatorit. Kjo do të thotë se ata po fshehin të vërtetën, po përpiqen ta shtrembërojnë për të shpëtuar nga përgjegjësia.

Për të bërë drejtësi për 24 njerëzit që humbën jetën nga shembja e dy pallateve, Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht përgjigje për masat e marra për sigurinë e banorëve nga qeveria dhe Bashkia e Krujës pas tërmetit të 21 Shtatorit.

Deri tani, qeveria ka heshtur dhe është fshehur pas spektaklit kriminal të kreut të saj, i cili nuk kursen as fëmijët e mbijetuar.

Ne nuk do të heshtim derisa të bëhet #DREJTËSI për viktimat e 26 Nëntorit!”- shkruan Bardhi.