AKTUALITET, 5 Korrik 2021, 21:13

"Plehrat"/ Meta: E papranueshme dhe e dënueshme ligjërisht situata e rëndë mjedisore, institucionet të reagojnë!

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas situatës së rëndë mjedisore krijuar me plehrat jo vetëm në Durrës, por edhe në bregdetin e Adriatikut.

Në një postim në “Facebook”, Kreu i Shtetit e cilëson të papranueshmë dhe të dënueshme ligjërisht situatën në prag emergjence dhe kërkon reagimin e menjëhershëm të pushtetit vendor dhe institucioneve përgjegjëse.

“E papranueshme dhe e dënueshme ligjërisht situata e rëndë mjedisore, në prag emergjence, e shkaktuar nga mbeturinat në qendrat urbane dhe përgjatë bregdetit të Adriatikut, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik.

Ky krim mjedisor, me pasoja të rënda për shëndetin e banorëve dhe të turistëve, për florën e faunën dhe që dëmton imazhin e Shqipërisë, meriton ndërgjegjësim dhe reagim të menjëhershëm efektiv të pushtetit vendor dhe të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit, si dhe ndëshkim nga drejtësia. ??”, deklaron Presidenti Meta.